Eksperti i politikës së jashtme, Adrian Shtuni ka komentuar marrëdhëniet e tensionuara mes vendit tonë dhe Iranit, pasi kryeministri Rama njoftoi sot ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin.
Kjo për shkak se Irani ka kryer sulmin kibernetik ndaj sistemeve online të vendit tonë. Në lidhje me këtë, eksperti tha se masa e marrë nga Shqipëria ishte më se e nevojshme, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për një akti kriminal, por për agresion shtetëror.
“Kryeministri vetë e cilësoi masë ekstreme, e padëshiruar por e nevojshme duke parë vazhdën e kërcënimeve nga Irani. Është përdorur fjala agresion shtetëror. Nuk ishte thjesht një akt kriminal, por ishte një agresion shtetëror. Kështu është cilësuar. Nëse është kështu përgjigja e Shqipërisë ka qenë një përgjigje e drejt”, tha Shtuni nëpërmjet një lidhjeje me Skype në Radarin Informativ në Abc.
Ai theksoi se SHBA-të kanë dalë garant se pas sulmit fshihet Irani dhe se vendi do të ndërmarrë masa të mëtejshme ndaj Iranit, për të dalë në mbrojtje të Shqipërisë.
“Deklarata e SHBA nuk del aq e lehtë. SHBA tha se fakti që Irani qëndron pas sulmit është si rezultat i hetimeve nga Amerika. Ka një nivel të sigurt për këtë. Cilësohet si incident i paprecedentë, tregon rrezikshmërinë. SHBA do të ndërmarrin veprime të tjera ndaj Iranit dhe janë duke ftuar aleatë të tjerë që të ndërmarrin masa”, tha Shtuni.
Arsyeja e sulmit iranian
Eksperti tha se origjina e sulmit është prezenca e muxhahedinëve në Shqipëri. Grupi i MEK është kundër qeverisë dhe regjimit të Irani
“Duket se origjina është prezenca e grupit opozitar iranian në Shqipëri. Grupi është kundër qeverisë dhe regjimit të Iranit, kjo është arsyeja kryesore.”
Qëllimi i Iranit
“Nëse qëllimi ishte të frenonin konferencën e MEK, ata e arritën, pasi arritën të paralizojnë veprimtaritë e infrastrukturës digjitale të shtetit shqiptar. Dihet që janë arrestuar edhe njerëz fizikisht,” tha Shtuni.
Dëmet
Shtuni thotë se Irani ka pasur si qëllim që të poshtërojë shteti shqiptar.
“Dëmet që sulmi i ka bërë Shqipërisë, çështja është më e thellë. Ka qenë plan i mirë orkestruar. Kanë hyrë mjaft thellë, kanë marrë info, kanë fshirë informacione dhe kanë sabotuar. Nëse donin të bënin dëm, nuk ishte nevoja që ti publikonin. Ata kanë pasur qëllim që të poshtëronin qeverinë shqiptare, qe mund të futemi aq lehtë në sistemet tuaja. Plan i mirëorganiozuar, ishte më shumë se një sinjal kërcënimi. Nuk duhet të frikësohemi nga hakmarrja e Iranit,” tha eksperti në studion e Radar.
Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pasi ka zbuluar se sulmi kibernetik ndaj faqeve qeveritare në korrik, u krye nga ky shtet. Vendimi i qeverisë u bë publik nga kryeministri Rama, i cili tha se stafi i ambsadës iraniane duhet të largohet brenda 24 orësh.
Kjo është masa ektreme ndaj Iranit, ndërsa më herët disa diplomatë të tij ishin shpallur non grata.
Marrëdhënia e vendit tonë me Iranin u përkeqësua qysh nga ardhja e muxhahedinëve, pjesë e opozitës së këtij vendi, për strehim në Manzë.
Një konferencë ndërkombëtare e opozitës iraniane në vendin tonë, e parashikuar për tu zhvilluar në vendin tonë në fund të korrikut, u anulua pas informacioneve sulme të rrezikshme nga qeveria e Iranit.
/abcnews.al/