Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino uron Partizanin për titullin kampion. Kreu i qeverisë së futbollit botëror vlerëson punën e bërë nga ana e drejtuesve të klubit kryeqytetas
Partizani u shpall kampione në kategorinë superiore, pas plot 26 vitesh. Titulli i 16 në historinë e skuadrës kryeqytetase bëri jehonë edhe përtej kufijve të Shqipërisë. Kreu i FIFA, Xhani Infantino i ka dërguar një letër urimi presidentit të federatës shqiptare të futbollit, Armand Duka dhe nëpërmjet tij edhe klubit të Partizanit.
“I dashur President
U gëzova shumë kur mësova që KF Partizani u kurorëzua kampion i Shqipërisë për sezonin 2018/2019. Me gëzim të madh e përgëzoj ekipin për titullin kampion, të cilin e prisnin që nga 1993, dhe të 16-tin në total.
Kjo është pa dyshim rezultati i përpjekjeve dhe një pune të palodhshme, dhe i gjithë stafi dhe personat e përfshirë duhet të jenë krenarë për këtë arritje të madhe.
Përcillja përgëzimet e mia lojtarëve, trajnerit, administratorëve, stafit teknik dhe mjekësor, gjithashtu edhe tifozëve të saj.
I inkurajoj ata të vazhdojnë punën me vendosmëri dhe përkushtim.
Në emër të komunitetit ndërkombëtar të futbollit, gjej rastin të falënderoj KF Partizanin dhe Federatën tuaj, për ndihmën e shpërndarjes së mesazheve pozitive për futbollin, dhe praktikimit të kësaj loje të bukur që na bashkon të gjithëve.
Me kënaqësi pres t’ju takoj së shpejti në Paris, me rastin e Kongresit të 69-të FIFA-s.
Me respekt,
Gianni Infantino”
Është urimi i kreut të qeverisë së futbollit botëror, Xhani Infantino./ABC News Albania 24/7