Nga Marco Imarisio “Corriere Della Sera”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Ata paguajnë për të gjithë, madje edhe për ata që nuk kanë mundësi. Me një lëvizje të “shkopit magjik”, ose më mirë nëpërmjet një lëvizje urgjente të miratuar nga Duma që pas rinisjes së punimeve në këtë sesion, “zhduken” nga lista familjet ruse që nuk janë më në gjendje të paguajnë faturat e gazit dhe energjisë elektrike.
Masat e reja nuk parashikojnë ndonjë ndihmë financiare, por kufizohen më tepër tek një veprim kozmetik, duke zbatuar parimin e “bashkëpërgjegjësisë” brenda godinave me më shumë se 4 apartamente, që përcakton shlyerjen e borxheve nga fqinjët për ata që nuk i paguajnë dot faturat.
Në fund, është gjithnjë çështje perspektive dhe e mënyrës se si e tregon atë. Kështu Kremlini flet për drejtësi sociale. Por ekonomistët që e studiojnë jetën e rusëve, tani nga distanca, thonë se kjo është një hile, pasi në këtë mënyrë fshihen të varfërit e rinj.
Sanksionet dhe mos-efektshmëria e tyre e supozuar, janë terreni stërvitor për propagandën dhe dredhi të tilla. “Ne kemi harxhuar gati 100 miliardë dollarë për ta mbajtur në këmbë ekonominë tonë”. Kjo fjali nuk u shqiptua pak ditë më parë nga ndonjë perëndimor dashakeq ndaj Rusisë.
Deklarata u bë nga Olga Skorobatova, zëvendësguvernatorja e Bankës Qendrore Ruse, të cilës i shpëtoi një e dhënë, e cila hedh qartazi dritë mbi koston që po paguan Rusia me injektimin e e vazhdueshëm të parasë publike në tregun e brendshëm, një lëvizje kjo e dobishme për kontrollin e çmimeve të mallrave parësore, por që megjithatë janë në rritje të vazhdueshme.
Këtë e tregojnë edhe buka, mishi dhe perimet, çmimet e të cilave u rritën me 5 për qind të tjera në krahasim me korrikun e vitit të kaluar. Varfërimi kolektiv i shkaktuar nga sanksionet është një fakt i pamundur të mohohet, qoftë edhe vetëm duke u mbështetur tek ngjarje të veçanta, raporton abcnews.al.
Kështu kompania ruse “Aeroflot” është detyruar të çmontojë avionët e saj që kryenin udhëtimet jashtë vendit, pasi nuk po gjen dot pjesë këmbimi për ta. Për shkak të mungesës së makinave perëndimore, Yandex, kompania me e njohur e shërbimit taksi, që funksionon pothuajse nën një regjim monopol, u detyrua të përdorë makinat Lada më pak të rehatshme dhe më pak të sigurta të prodhimit rus, duke kërkuar një rritje të furnizimit.
Por tani prodhimi është ndalur. Madje edhe qeverisë iu desh të pranonte një rënie prej 90 për qind në sektorin e automobilave, që mbetet ende një tregues i besueshëm i shëndetit të një ekonomie. Yandex ka porositur mjete nga kompania bjelloruse “Belarusian Unison”, që monton pjesë të makinave kineze Zotye, siç ndodhte dikur në Bashkimin Sovjetik.
Instituti i Statistikave në Rusi quhet Rosstat. Ai e bën punën e tij pa u pasqyruar nga media shtetërore. Në verën e këtij viti, industria ruse u fut në kolaps. Nga 24 sektorët e analizuar, 18 pësuan një rënie nga 6 për qind në sektorin ushqimor, dhe shumë më tepër në atë të prodhimit të makinave.
Injektimi i miliarda parave publike, po i mban ende çmimet disi nën kontroll. Por ky hap nuk mund të shmangë mbylljen e shumë fabrikave për shkak të braktisjes nga kompanitë perëndimore, dhe mbi të gjitha të embargove ndaj teknologjisë, të cilat po paralizojnë çdo proces të prodhimit.
Sektorët e vetëm që lulëzojnë janë të lidhura me luftën, veçanërisht çeliku dhe farmaceutika, të cilat kanë përfituar nga një subvencionim prej 90 miliardë dollarësh. Por Kremlini vazhdon të propagandojë dhe përhapë një realitet paralel, që shpesh zë rrënjë edhe në Perëndim, bazuar tek të dhëna që nuk kanë asnjë lloj baze reale, raporton abcnews.al.
Kështu televizioni i profilit ekonomik proqeveritar, RBK, sapo ka deklaruar se ndikimi negativ i sanksioneve është mbivlerësuar, dhe se në vitin 2022 tkurrja e PBB-së mund të ndalet maksimumi në 3 për qind, në vend të 6 për qind të PBB siç e parashikon Banka Botërore.
Po sipas kësaj medie, të ardhurat e popullsisë, të cilat supozohej se do të binin ndjeshëm, ranë me vetëm 0.8 për qind. “Kriza e ekonomisë ruse nuk është një rënie e shpejtë, por një tkurrje e ngadaltë dhe graduale që do të zgjasë për disa vjet”- thotë Ruben Yenikolopov, rektori i Shkollës Ruse të Ekonomisë.
Ai e përmbledh situatën me një alegori:”Nëse ju ndodh të ndeshni përballë një bollë të ngadaltë në vend të një nepërke, kafshimi i të cilës është vdekjeprurëse, ky nuk është gjithmonë një lajm i mirë”. Ai thekson se disa të dhëna, duket sikur janë në favor të atyre që mendojnë se sanksionet nuk po e dëmtojnë dhe aq vendin.
Po për të, PBB-ja nuk duhet të kufizohet vetëm një rënie të vogël. Ajo duhet të rritet në mënyrë eksponenciale, për të kompensuar shpenzimet më të mëdha publike të mundshme:luftën.
Paqartësia më e madhe në lidhje me sanksionet, ka të bëjë me efektivitetin e tyre në dhënien fund të luftës sa më shpejt të jetë e mundur. Sepse vertikaliteti i pushtetit të Putinit bazohet tek aparatet e sigurisë, apo shërbimet sekrete dhe ushtrinë, pra tek të ashtuquajturit Siloviki, “burrat që përdorin forcën”. Dhe sa i përket burimeve energjetike që përmes Gazprom mbajnë në këmbë regjimin, nuk janë prekur në asnjë mënyrë.
Yenikolopov thekson:”Ekonomia jonë nuk hyri menjëherë në kolaps, sepse Evropa nuk e ka ulur dhe nuk po e redukton me kaq shpejtësi blerjen e burimeve tona energjetike”.
Arsyet e këtij ngurrimi dihen, dhe po debatohen prej 6 muajsh. Vladimir Milov, ish-deputet dhe ish-kryetar i Institutit të Politikave të Energjisë, është i bindur se bllokada e teknologjive do të ndikojë përfundimisht edhe tek industria e luftës. Por me gazin dhe naftën, Putini fiton më shumë se më parë, dhe mund ta vazhdojë luftën e tij edhe për të paktën një vit.
/abcnews.al