Qeveria greke ka paralajmëruar se nuk do të japë konsensusin e saj për hapjen e negociatave për Shqipërinë, nëse vendi më parë nuk garanton të drejtat e minoriteteve dhe zgjidh çështjen e pronave për pakicat.
Një ditë pas rekomandimit nga Komisioni Europian, Athina zyrtare paralajmëron se mund të mos japë konsensusin e saj për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Athina thotë se perspektiva europiane e Shqipërisë lidhet drejtëpërdrejtë me respektimin e të drejtave të minoritetit dhe se kjo bëhet e qartë edhe në progres raportin e fundit.
“Kjo përbën pjesë të patjetërsueshme të pesë kritereve kryesore përmbushja e të cilave do të shqyrtohet ekskluzivisht nga Këshilli Europian”, nënvizohet në një deklaratë për shtyp të ministrisë së jashtme greke.
“Në këtë kuadër, presim garantimin absolut të së drejtës së vetëpërcaktimit të minoritetit në gjithë territorin shqiptar, çka Shqipëria ishte angazhuar ta realizojë deri në maj 2018, si dhe zbatimin e ligjit për pronat, me qëllim që pjesëtarët e minoritetit të marrin titujt e pronësisë që u takojnë”, shtohet në deklaratën për shtyp.
Ministria e jashtme greke i referohet edhe bllokimit të kandidaturës së Fredi Belerit, duke theksuar se ky akt, “shkel të drejtën e pacenueshme të përfaqësimit politik të minoritetit në zgjedhjet lokale në Himarë”.
“Greqia punon për përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe mbështet në mënyrë konstante procesin e anëtarësimit të saj në BE, por me kushtin e njëmendtë që vlen për gjithë vendet kandidate, se do të përmbushë tërësinë e kërkesave përkatëse”, nënvizon ministria e jashtme greke, në deklaratën që u publikua në orët e vona të pasdites së të enjtes./ABC News Albania 24/7