Në studio me Mirela Milorin mbrëmjen e sotme ka qenë i ftuar Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. Lleshaj i është përgjigjur disa pyetjeve me interes për publikun në lidhje me procesin e vetingut në polici, me sigurinë në vend, luftën ndaj krimit të organizuar, protestat e opozitës si dhe me menaxhimin e situatës në zgjedhjet e 30 qershorit, ku flitet se do të ketë tentativa për të mos i lejuar të zhvillohen nëse merret parasysh ajo çka deklaron opozita. Ministri i brendshëm deklaroi se, puna e policisë së shtetit aktualisht merr notat maksimale dhe se vetingu në polici është i nevojshëm, ashtu si dhe reforma në drejtësi. Gjithashtu ai tha se në zgjedhjet e 30 qershorit, policia do të zbatojë ligjin dhe nuk do të lejohet askush të pengojë zhvillimin e tyre, për më tej ndiqni bisedën e plotë:
Mirela Milori: Opinioni juaj për lajmin e ditës, ku ka nisur procesi i vetingut në polici, një proces i shumëdiskutuar do doja pritshmëritë tuaja.
Sandër Lleshaj: Më në fund ka filluar ky proces i përgatitur prej shumë kohësh, me vështirësitë e veta por që sot është bërë njoftimi publik nga Komisioni i Jashtëm Publik. Pritshmëria është të ndodhë ajo që ka ndodhë në sistemin e drejtësisë që njerëzit të certifikohen, të kalojnë përmes këtij procesi. Kam besim se policia do të dëhmojë një gjendje tjetër nga ajo që është dëshmuar te gjyqsoni por gjithsesi ne jemi të hapur për cfarëdo rezultati, i rëndësishëm është procesi.
Mirela Milori: Oponentët tuaj dhe të vetingut në polici mendojnë që është momenti për të qenë një goditje selektive sidomos ndaj policëve të ndershëm me uniformë të cilët punojnë me përkushtim në luftën kundër krimit, kjo është një nga akuzat e kundërshtarëve tuaj, si e komentoni?
Sandër Lleshaj: Akuzat e kundërshtarëve ndjekin një model, paragjykues dhe të luftojnë gjithnjë të mirën dhe të nxisim të keqen. Unë nuk u kushtoj shumë vëmendje. Akuzat janë të pabaza. Ligji për vettingun është shtysë e jona dhe është i njëjti model, si në reformën në drejtësi dhe është krejtësisht i pavarur nga ne.
Mirela Milori: Çuarja në prokurori e 6 ish-deputetëve të PD, ka patur një video që ka qarkulluar, sekretari i përgjithshëm në PD Gazmend Bardhi tha se deputetëve u është ndaluar të hyjnë në polici, ka patur një tension verbal por përfaqësuesit e uniformave të policisë janë gjetur duke konsumuar pije alkoolike në ambientet e brendshme të drejtorisë së policisë;
Sandër Lleshaj: Në fakt ish deputetët kanë shkuar vetë në prokurori sepse vetë kanë shkuar edhe në polici. besoj që opinioni publik është i qartë për pamjet, për fat është i dokumentuar me video. Kemi të bëjmë me një akt të paprecedentë dhune që ushtrohet nga jo vetëm deputetë por dhe ish-ministra që kanë paturpësinë të prekin punonjësit e policisë të cilët i kanë patur vartës. Ai gjest është i pajustifikueshëm dhe i turpshëm. Polici ka për detyrë të mbrojë atë institucion.
Mirela Milori: Pretendohet se është konsumuar alkool në ambientit e institucionit është e vërtetë?
Sandër Lleshaj: Është e pavërtetë, por edhe sikur të ishte e vërtetë nuk justifikon hyrjen me dhunë në institucionin e policisë. Barriera etike dhe morale pengon të prekësh punonjësin e policisë. të qënit deputet nuk u jep asnjë të drejtë të prekin punonjësit e policisë.
Mirela Milori: Progres-raporti evidenton bashkëpunimin me autoritetet evropiane, në çfarë pike jemi në luftën kundër krimit?
Sandër Lleshaj: Unë ju them me krenari se vetëm në këtë vit kemi shkatërruar 11 grupe kriminale dhe arrestuar 106 anëtarë të bandave të grupeve kriminale. Grafiku i 10 viteve të fundit të vrasjeve në Shqipëri ka shënuar ulje.
Mirela Milori: Pretendimi i palës tjetër është që është rritur krimi i organizuar?
Sandër Lleshaj: Krimi i organizuar është goditur dhe është luftuar intensivisht. Raport progresi i KE thotë se lufta ndaj krimit të organizuar ka një progres shumë të mirë.
Mirela Milori: Sa grupe kriminale operojnë çfarë shifrash kemi?
Sandër Lleshaj: Mund t’ju them që në 2018 janë shkatërruar 22 grupe dhe 11 janë shkatërruar këtë vit, pra gjithsej 33. Rezultatet konkrete kanë vijueshmëri dhe do të ketë zhvillime. Me organizimin që ka dhe me motivimin e bashkëpunimin e partnerëve tanë, lufta e krimit të organizuar do të ketë rritje. kemi 1887 të arrestuar për krime të rënda në 5 muaj. Bilanci është pozitiv.
Mirela Milori: Burimet, kryesisht mediatike, bëjnë me dije se situata me krimin nuk është e qetë sidomos në disa qytete si Shkodra, Elbasani, Durrësi, si është situata?
Sandër Lleshaj: Krijohen mite të kota politike. Shqipëria ka parametra sigurie të krahasueshme mesataret në vendet evropiane. Nuk ka vend për frikë në shqipëri nëse i referohemi të dhënave. Nga viti 2008 kemi patur 8 milion hyrje-dalje të turistëve ndërsa në 2018 kemi 23 milion hyrje-dalje, është një tregues i qartë besoj.
Grupet kriminale funksionojnë ende në qytetet e Shqipërisë. Për grupet e krimit të organizuar duhet një luftë tjetër, e provuar, dhe për këtë po punohet shumë, kemi struktura që merren vetëm me këtë punë. Unë besoj që në Shqipëri nuk kemi ende nivel të sofistikuar të krimit.
Mirela Milori: Doja të dija a keni ndonjë operacion të përbashkët me vendet e tjera në dinamikë?
Sandër Lleshaj: Çfarë ka në dinamikë nuk mund t’ju them, të jeni të sigurt për diçka se kurrë nuk ka qenë asnjëherë kaq e organizuar puna mes policisë dhe prokurorisë.
Mirela Milori: Flasim për protestat e opozitës, përdorimi i gazit lotsjellës është strategji e juaja, si e vendosët këtë?
Sandër Lleshaj: Me menaxhimin e protestës merret policia dhe jo ministri, sigurisht ministri ka përcaktuar vetëm 1 objektiv të qartë që e kam pagëzuar 110,
1-shi i parë është reagimi 1 moment më pas në kohë nga ata që keni përballë
1-shi i dytë do të thotë ushtroni 1 nivel dhune më poshtë nga dhuna që ushtrohet ndaj jush
0- do të thotë zero viktima.
Ky ka qenë objektivi i dhënë për policinë e shtetit. Në mënyrën se si ka përballuar protesta kaq të dhunshme policia meriton nota maksimale.
Mirela Milori: Gazi lotsjellës ka prekur edhe njerëz të tjerë përveç protestuesve, pra edhe qytetarë të tjerë;
Sandër Lleshaj: Për këtë prekje ndjej keqardhje dhe tu kërkoj ndjesë për këtë ballafaqim i policisë me protestues të dhunshëm. organizatorët e kanë zhvendosur protestën në mënyrë të pabesë në vende ku nuk është lajmëruar policia dhe pasoja ka qenë se qytetarët janë gjetur përballë gazit lotsjellës, pra ka qenë një pabesi i organizatorëve sepse krijuan situatë të paparashikuar dhe aty pastaj pleksen protestuesit, policia dhe kalimtarët.
Mirela Milori: Ka një protestë të dielën, çfarë mendoni?
Sandër Lleshaj: Dhuna nuk është opsion, është e dënueshme jo vetëm nga ne por edhe partnerët.
Mirela Milori: Ka pretendim se kanë përdorur plumba gome ?
Sandër Lleshaj: Çfarë nuk thonë këta, këta thonë se unë do dilja në dritare me snajper do qëlloja kryetarin e opozitës. asnjë lloj arme nuk është përdorur dhe absolutisht nuk është përdorur plumba gome në asnjë rast.
Mirela Milori: Po shkojmë në zgjedhjet e 30 qershorit, si do e menaxhoni situatën z. Ministër?
Sandër Lleshaj: Ne jemi të detyruar të shkojmë në 30 qershor, po sikur të heqim dhe ne dorë nga zgjedhjet? Zgjedhjet nuk i ka në dorë askush, është një fenomen që duhet të vijë. Nuk është demokratike të pengosh të tjerët të shkojnë në zgjedhje dhe kjo nuk do të lejohet.
Mirela Milori: Si do ja bëni nëse do ketë tentativa të pengohen zgjedhjet?
Sandër Lleshaj: Policia ka një detyrë të merret me kriminelët, nuk merret me qytetarët, ne marrim përsipër që mjedisi zgjedhor të jetë i pakontaminuar nga kriminelët./abcnews.al

