Për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve shumë gjermanë kursejnë ku të munden dhe duan më shumë lehtësime nga qeveria. Qytetarët me të ardhura të pakta u duhet të bëjnë më shumë shkurtime të mëdha të shpenzimeve.
Nga 1 shtatori në Gjermani është shtrenjtuar sërish benzina dhe nafta për shkak se mori fund paketa e parë e ndihmës për qytetarët. Në të njëjtën kohë shumë qytetarë marrin faturat tani me çmimet shumë të larta të gazit dhe rrymës elektrike. Qeveria gjermane ka bërë të ditur një paketë të re lehtësuese për qytetartët. Qytetarët kanë pritshmëri konkrete. Sipas një sondazhi të ARD-së, gati çdo i dyti qytetar (45%) kërkon masa që të lehtësojnë edhe të ardhurat e mesme. 29% duan masa që të lehtësojnë vetëm ata me të ardhura të ulta.
Ndërsa sipas një sondazhi të mëparshëm të televizionit të parë gjerman, ARD që shërben për matjen e trendeve në Gjermani, Deutschland Trend, shumë qytetarë gjermanë kanë ndryshuar sjelljen ndaj konsumit këto muaj. Sipas të dhënave 70% e të anketuarve kanë pohuar, se kanë filluar të reduktojnë shpenzimin e energjisë- Këta janë më shumë se në prill të këtij viti, kur vetëm 64% kishin filluar të kursenin.
Më pak shkuarje në restorant dhe kinema
Gati gjysma e të anketuarve, rreth 47% kanë thënë, se po blejnë më pak në të përditshmen e tyre. Kurse më shumë se 50% përpiqen të kursejnë para tek reduktimi i aktiviteteve të kohës së lirë, si për shembull të shkojnë më rrallë në restorant, në kinema apo aktivitete të tjera. Kurse 43% janë shprehur se kanë kufizuar pushimet e vitit.
Qytetarët me të ardhura të pakta kursejnë më shumë
Në një kohë që ulja e përdorimit të energjisë nuk sjell ndonjë dallim të madh mes kategorive të të ardhurave, të ardhurat e familjeve apo beqarëve luajnë rol në konsum dhe kohën e lirë. Në këtë pikë personat me të ardhura ta pakta kanë ulur ritmin e shpenzimeve ndjeshëm. Kështu rreth 66% e të anketuarve me të ardhura të pakta, (të ardhura mujore deri në 1500 euro) thonë, se blejnë më pak ushqime të përditshme. 59% kanë kursyer tek pushimet. Kurse vetëm gjysma e atyre me të ardhura të mesme (e ardhur mujore nga 1500 deri në 3500 euro) u duhet të bëjnë kursime të tilla. /DW