Grerëzat e Zeza/ Dronët e vegjël të Ukrainës që po trembin rusët

schedule11:36 - 3 Shtator, 2022

schedule 11:36 - 3 Shtator, 2022

Një fotografi reklamuese e Grerëzës së Zezë.
Një fotografi reklamuese e Grerëzës së Zezë.

Kryeministri në detyrë i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, ka bërë të ditur më 24 gusht se Britania dhe Norvegjia do t’i dërgojnë Ukrainës një pako ndihmash ushtarake, me vlerë prej 63 milionë dollarësh, e cila përfshin 850 mikrodronë, të njohur si Grerëzat e Zeza. Dronët vëzhgues, me madhësi sa të pilivesave, janë krijuar në Norvegji.

Prezantimi i sistemit të plotë të Grerëzës së Zezë, në një panair armësh në Francë, më 2019.
Prezantimi i sistemit të plotë të Grerëzës së Zezë, në një panair armësh në Francë, më 2019.

Sistemi i Grerëzave të Zeza është i dizajnuar për t’u bartur nga ushtarët e këmbësorisë. Ai përfshin një ekran, që nxirret nga një jelek, si dhe një xhep të veçantë, i cili përmban dy dronë dhe një telekomandë. Dronët mund të fluturojnë deri në 25 minuta, ndërsa po aq kohë nevojitet për mbushjen e tyre. Sistemi peshon 1.3 kilogramë, ndërsa një dron i vetëm peshon vetëm 33 gramë. Ekziston edhe një version që montohet në automjet.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, duke komanduar një dron të vockël, në Sallsbëri, në shtatorin e 2019-tës.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, duke komanduar një dron të vockël, në Sallsbëri, në shtatorin e 2019-tës.

Kamerat e vockla fluturuese janë të krijuara për t’iu afruar pozicioneve të armikut, pa u parë apo dëgjuar, dhe për të transmetuar pamje me rezolucion relativisht të ulët, prej 640 x 480 pikselësh, për trupat që ndodhen deri në dy kilometra larg. Pajisjet do t’u mundësojnë luftëtarëve ukrainas që “t’i mbrojnë pa rrezik zonat urbane”, sipas qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Një ushtar britanik duke shikuar ekranin e sistemit të Grerëzës së Zezë. Telekomanda e lë një dorë të lirë për ta mbajtur dhe për ta lëshuar dronin.
Një ushtar britanik duke shikuar ekranin e sistemit të Grerëzës së Zezë. Telekomanda e lë një dorë të lirë për ta mbajtur dhe për ta lëshuar dronin.

Grerëzat e Zeza, po ashtu, mund të shkrepin dhe të dërgojnë fotografi me rezolucion prej 1.600 x 1.200 pikselësh, dhe janë të pajisura me kamera bazike termale, për të ndihmuar në identifikimin e pozicioneve të armikut gjatë natës.

Versionet më të fundit nuk përmbajnë memorie të brendshme digjitale, duke eliminuar rrezikun e rënies së inteligjencës operative në duart e armikut. Çmimet e raportuara për versionet aktuale të mikrodronëve dallojnë, por Grerëzat e Zeza thuhet se kanë kushtuar 94.000 dollarë për copë në vitin 2013.

Kryeministrja e asokohshme e Norvegjisë, Erna Solberg, duke komanduar një Grerëz të Zezë, më 2019.
Kryeministrja e asokohshme e Norvegjisë, Erna Solberg, duke komanduar një Grerëz të Zezë, më 2019.

Madhësia e vogël e dronëve mundëson fluturime pa pasur nevojë për koordinim me trafikun ajror, por ajo po ashtu përbën një disavantazh të madh. Një ushtar britanik, që ka përdorur një version të mëhershëm prej 16 gramësh të dronit në Afganistan, më 2013, ka thënë se “një erë e fortë e rrëzon Grerëzën e Zezë”. Është thënë se versionet më të reja e më të rënda arrijnë t’u bëjnë ballë erërave me shpejtësi deri në 28 kilometra në orë, por erërat e forta të vazhdueshme mund ta reduktojnë ndjeshëm funksionimin e dronit.

Një ushtar britanik duke u përgatitur për ta lëshuar një version të hershëm të Grerëzës së Zezë, gjatë një operacioni luftarak në Afganistan, më 2013.
Një ushtar britanik duke u përgatitur për ta lëshuar një version të hershëm të Grerëzës së Zezë, gjatë një operacioni luftarak në Afganistan, më 2013.

Dronët më të mëdhenj komercialë mund të fluturojnë më gjatë, mund t’u rezistojnë më mirë erërave, dhe kanë kamera me rezolucion më të lartë sesa Grerëzat e Zeza. Duke marrë parasysh fluturimin dhe kamerat e kufizuara të Grerëzave të Zeza, dronët e vockël do të shërbenin fare pak në duelet e artilerisë nga largësia, që janë parë në vijat e frontit javëve të fundit. Por, Grerëzat e Zeza mund të përbëjnë një mjet efektiv për grupet e operacioneve të fshehta speciale dhe në situatat e luftimeve urbane nga afërsia./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!