Kërkohet burg për supermashtruesin turk të kriptomonedhave, sot del para gjykatës së Elbasanit

schedule08:50 - 2 Shtator, 2022

schedule 08:50 - 2 Shtator, 2022

Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për “Bossin” e kriptomonedhave Faruk Fatih Özer, i cili ishte shpallur në kërkim që prej një viti nga Turqia, ndërsa prej asaj kohe dyshohet se fshihej nëpër Shqipëri.

Seanca për dhënien e masës së sigurisë, pritet të mbahet në Gjykatën e Elbasanit sot në orën 09:30.

Nga informacioni rezulton se Faruk Fatih Özer në vitin 2017 ka krijuar një platformë online të quajtur “Thodex” me funksion shkëmbimin e kripto-monedhës. Pasi ka akumuluar afërsisht 2 miliard USD pasuri në asete digjitale, ky i arrestuar ka mbyllur platformën dhe mediat sociale dhe është larguar nga territori turk më datë 20.04.2021.

Për këto arsye Faruk Fatih Özer është shpallur në kërkim ndërkombëtar me kartelë të kuqe për llogari të Zyrës Qëndrore të Interpol Ankara.

Autoritetet turke të cilat kanë lëshuar Urdhrin Ndërkombëtar të Arrestit ndaj këtij shtetasi, kanë bërë të ditur se pas arrestimit të tij, menjëherë do të nisin procedurat për ekstradim në rrugë diplomatike dhe gjyqësore.

Lexo edhe: EKSKLUZIVE/ Kapet super mashtruesi me monedhat virtuale, Faruk Fatih Özer. U arratis nga Turqia me miliona dollarë

Faruk Ozer rezultoi të ishte futur në Shqipëri nga pika e kalimit kufitar të Rinasit më 20 prill të vitit të shkuar, ndërkohë që dolën dhe pamje filmike nga momenti kur ai u akomodua në një prej hoteleve të kryeqytetit, nga një shtetas shqiptar, i cili ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të veprës penale që kishte kryer biznesmeni turk.

Lexo KËTU gjithçka mbi Faruk Fatih Ozer

Ndërkohë përmes një postimi në Twitter Ozer mohoi asokohe akuzat, ku theksonte se kompania ishte në shënjestër të një fushate shpifjesh.
Sipas tij, kompania pezulloi përkohësisht aktivitetin, pasi llogaritë treguan një aktivitet të pazakontë për shkak të një sulmi kibernetik.

Kujtojmë se Prokuroria turke ka mbyllur  ne prill të këtij viti dosjen hetimore në ngarkim të bosit të kompanisë së kriptomonedhave “Thodex” Faruk Fatih Ozer duke e çuar atë në gjykatë.

Ndaj  tij dhe tre bashkëpunëtorëve të tjerë, prokuroria ka kërkuar më shumë se 40 mijë vite burg për secilin. Ozer dhe tre bashkëpunëtorët e tij akuzohen se kanë ngritur një skemë mashtrimi duke futur në të dhjetëra mijëra turq që menduan të investonin në kriptomonedha përmes kësaj platforme.

/abcnews.al/