Ndërtimi rekord, INSTAT: Në 6 muaj miratohen 736 leje

schedule15:46 - 31 Gusht, 2022

schedule 15:46 - 31 Gusht, 2022

Nga Erblina Mile

Sektori i ndërtimit vazhdon të ketë një ecuri pozitive edhe gjatë periudhës së krizës së çmimeve. Të dhënat e INSTAT për periudhën janar-qershor 2022 tregojnë se në total janë dhënë 736 leje ndërtimi ose 138 më tepër nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Edhe sipërfaqja e miratuar për godina të reja  rezulton më e madhe. Për periudhën janar-qershor të këtij viti është miratuar një sipërfaqe prej 1.7 milion metrash katrorë.

Por rritja nuk është ndalur edhe pse gjatë tremujorit të dytë të këtij viti  ka pasur një ngadalësim të vogël të numrit të lejeve të dhëna pas bumit që shënuan në tre muajt e parë .

Sipas INSTAT, në periudhën prill-qershor 2022 janë miratuar gjithsej 339 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 347 leje të miratuara në tremujorin e dytë 2021 ndërsa vlera  arrin në 25.9 miliardë lekë.

Në kryeqytet janë dhënë përsëri më shumë leje për ndërtim pallatesh e banesash .Në tremujorin e dytë janë miratuar 95 leje e ndjekur nga Durrësi po me 90 leje e më pas nga Korça me 38 të tilla.

Disa nga qarqet që kanë marrë më pak leje ndërtimi rezultojnë se janë Berati vetëm me 2 të tilla e ndjekur nga Dibra e Gjirokastra me nga 4 leje secila. /abcews.al