Nga Bledar Kuka
Për fat të keq, qyteti ka mbërritur deri këtu. Ndërtimet kanë zhdukur një sipërfaqe të madhe të gjelbër të Tiranës, edhe në Parkun e mbrojtur të Liqenit Artificial, ndërsa kjo pistë e re atletike duket si një barrierë shpëtimtare.
Në tartanin e shtruar prej pak ditësh ka nisur stërvitjen atletja jonë më e mirë, Luiza Gega, që u kthye nga Mynihu si kampione e Europës, ndërsa synon rekordin kombëtar në garën e 3000 metrave me pengesa në Ligën e Diamantit në Bruksel në 2 shtator.
“Këto lloj garash bëhen nga organizatorët për të pasur një garë të shpejtë. Ndërsa garat për të cilat ne kemi folur janë kryesishtgara taktike që bëhen…pra është më i rëndësishëm pozicionimi sesa rezultati. Kjo është arseja pse unë dua të thyej rekordin kombëtar.”
Ceremonitë pas titullit europian e nderuan, por nuk e ndihmuan.
“Ka qenë shumë intensive, u prit edhe shumë mirë. Kam qenë shumë e hallakatur këto ditë, por po e marr veten.”
Për fat të keq, Gega humbi 6 vjetët më të mirë të karrierës së saj pa një pistë në Tiranë.
“Në 2016 kur u prish Qemal Stafa, nuk kishim një pistë. Tiranës i duhej një pistë dhe jam shumë e lumtur që më në fund e ka.”
Fatkeqësia tjetër është se përtej investimit të shtrenjtë, me tartan të cilësisë tepër të lartë, ndërtimi i pistës ka probleme, aq sa Gega detyrohet të heqë atletet e saj amerikane Nike, që kushtojnë 250 USD, dhe të veshë këpucë me thumba.
Por, le të kthehemi te karriera, ndërsa pas Brukselit, ajo nuk do të pushojë edhe aq, pasi e pret Kenia e pastaj Dardha e Korçës. /abcnews.al