Haradinaj i përgjigjet ftesës së Kurtit për takim: Për tema nacionale nuk ka qeveri e opozitë

schedule16:45 - 29 Gusht, 2022

schedule 16:45 - 29 Gusht, 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka dërguar sot edhe zyrtarisht ftesat liderëve opozitarë për tu takuar nesër për të diskutuar rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka konfirmuar se i është përgjigjur pozitivisht kësaj ftese.

“I jam përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryeministrit Kurti, për një bashkëbisedim lidhur me takimet e fundit që janë zhvilluar në Bruksel. Për mua dhe Aleancën, çëshja e dialogut për njohje, gjithmonë ka qenë çështje mbipartiake. Këtë përcaktim e kam pasur edhe gjatë kohës sa e kam udhëhequr qeverinë e vendit”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se gjithmonë e ka konsideruar se për tema të interes nacional, nuk ka qeveri dhe opozitë.

Kosova dhe Serbia më 27 gusht kanë arritur marrëveshje për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e dy vendeve.

Kjo marrëveshje nënkupton se qytetarët e Serbisë dhe ata të Kosovës, do të mund të kalojnë kufirin me kartat e tyre të identitetit, pa pasur nevojë që të pajisen me një letër shtesë të hyrje-daljes.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!