Paolo Coelho është braziliani me ndikimin më të madh ndërkombëtar dhe një nga shkrimtarët më të lexuar në botë. Një ditë më parë ai festoi 75- vjetorin e lindjes dhe 35 vjetorin e botimit të parë të “Pelegrini i Kompostelës”, best-seller-i i tij i parë.
Libri u shkrua pas pelegrinazhit të autorit, në vitin 1986, përgjatë rrugës për në Santiago de Compostela, në Spanjë, ku më pas u kthye në vendin më të vizituar.
Botuesja e Coelhos në shqip, Irena Toçi kujton 22 vite më parë takimin me veprën e tij “Djalli dhe zonjusha Prym”, magjinë e të cilit e solli edhe për lexuesin shqiptar, që vijoi më pas me best sellerin “Alkimisti” dhe gjithë veprat e tij.
Toçi e cilëson moment të veçantë takimin me të në panairin e Frankfurtit, ku mësoi se çelësi i suksesit të tij ishte komunikimi me lexuesit.
Në vitin 2005 ajo ka shqipëruar edhe biografinë e Coelhos, ku kupton më thellë jetën e tij të vështirë, burgosjen dhe shpirtin e lirë të tij, çka e shpalos edhe te romani “Hipi”
Pritet që së shpejti lexuesit t’i ofrohen edhe seria e librave me thëniet e tij Aforizma.
Librat e Paulo Coelho-s, të botuara në mbarë botën, kanë arritur shifrën mahnitëse prej rreth 320 milionë kopjesh të shitura në më shumë se 170 vende.
Autori më i përkthyer nga portugalishtja është botuar në 88 gjuhë të ndryshme.
Në Brazil, Paulo Coelho madje ka pasur pesë tituj në të njëjtën listë të best-seller-ve, një ngjitje që asnjë autor tjetër nuk ka arritur ta kapë deri më sot. Libri i tij më i shitur “Alkimisti”, botuar në vitin 1988, i rekomanduar edhe nga ish-presidentët e Amerikës për lexim si Obama dhe Klinton, këtë gusht shënoi “ 650 javë në krye të klasifikimit të “USA TODAY”. /abcnews.al