Babai i 6-vjeçares shqiptare që u mbyt në Korinth ka mohuar sërish se ka dashur të vrasë të bijën. Ai është lënë i lirë me kushte kufizuese, pasi u arrestua nga policia greke.
Për protothema.gr ai është shprehur se nuk ka dashur në asnjë moment të dëmtojë fëmijë e tij.
“Ajo që ka ndodhur ia kam thënë një nga një prokurorit dhe është e vërteta. Nuk do ta dëmtoja fëmijën, e adhuroja. E adhuroja fëmijën tim, ai ishte forca ime. Kur fëmija erdhi në shtëpi mora forcë”, 42-vjeçari, ndërsa shton se ai dhe gruaja e tij nuk kanë asnjë problem.
“Unë dhe gruaja ime nuk kemi asnjë problem, nuk kemi asnjë akuzë mes nesh. Ne jemi bashkë në atë që na ndodhi. Unë e pata fëmijën për një muaj rresht. Vija nga puna çdo pasdite dhe e merrja”, thekson 42-vjeçari.
Trupi i pajetë i të voglës do të përcillet nesër për në banesën e fundit në Shqipëri, por ai nuk mund t’i japë lamtumirën, pasi nuk i lejohet të dalë nga Greqia për shkak të hetimit.
“Sot fëmija im largohet dhe shkon në vendin tim për ta varrosur. Nuk jam në gjendje të them asgjë tjetër. Unë thashë gjithçka në dëshminë time”, përfundon ai.
Hetuesit e kanë ngritur dyshimet, pasi babai shqiptar futi të bijën në ujë me rroba dhe që nuk bëri asgjë për ta shpëtuar atë, teksa e shihte për 3 deri në katër minuta të luftonte me vdekjen.
“Më pushtoi paniku kur e vogla ra në det”, citohet të ketë thënë babi i Amelias më herët.
Si ndodhi ngjarja
Gjithçka nisi, kur babai shqiptar, i divorcuar nga gruaja, mori Amelian për të dalë për të ngrënë në një restorant buzë detit.
Për shkak se moti ishte i paqëndrueshëm dhe i ftohtë, ata nuk do të laheshin në det dhe për këtë arsye nuk morën rroba banje me vete. Pasi kanë ngrënë, sipas dëshmitarët okularë Amelia kërkoi nga i ati që të shkonin te varka që ishte ne det, raporton abcnews.al.
I ati i tha se nuk kishin rroba banje me vete, por Amelia këmbënguli dhe kështu ai pranoi të shkonte te varka me të bijën. Distanca e varkës nga deti ishte rreth 25-30 metra dhe thellësia e ujit 5-6 metra.
Deti ishte i trazuar për shkak të motit të keq.
Babai mori një jelek shpëtimi, ia vuri vajzës së tij dhe siç ishin të veshur me rrobat u drejtuan për te varka. Babai nuk kishte me vete telefonin apo sende të tjera. Siç u tha babai rojeve bregdetare, kur ata iu afruan varkës, ai u përpoq të ngrinte në krah Amelian për ta futur në varkë , por ajo rrëshqiti.
Sipas tij pasi rrëshqiti, të miturës i doli jeleku dhe për pasojë 6-vjeçarja përfundoi poshtë varkës.
Ajo që ngre dyshime është fakti që babai nuk bëri asgjë për të shpëtuar të bijën e tij. Ai ka thënë se nuk u zhyt për ta shpëtuar sepse kishte astmë, dhe se nuk mund ta mbante frymën në ujë, raporton abcnews.al.
Pyetja e madhe që mbetet është se pse babai i Amelias nuk bëri asgjë në 3-4 minutat që vogëlushja po luftonte me vdekjen.
Për këtë arsye kanë nisur hetimet për babanë e Amelias, pasi ai akuzohet se ka ekspozuar në rrezik të miturën. Ai u arrestua dje nga policia greke, ndërsa sot është lënë i lirë me kushte kufizuese.
Hetuesi dhe prokurori vendosën lirimin e tij me kufizimin e daljes jashtë vendit dhe paraqitjen e tij çdo ditë të parë të muajit në komisariat. /abcnews.al