Izraeli po nis një sulm “të minutës së fundit” në përpjekje për të bindur Perëndimin që të mos rinovojë marrëveshjen për programin bërthamor të Iranit.
“Fuqitë perëndimore duhet të “ndalojnë” negociatat sepse një marrëveshje e tillë do të lejonte Iranin të fitonte “miliarda” dollarë dhe të “destabilizonte” Lindjen e Mesme”, tha dje kryeministri Yair Lapid.
Kryeministri izraelit dërgoi këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare në Uashington këtë javë.
Sekretari i Mbrojtjes Benny Gantz u nis sot për në kryeqytetin amerikan për të diskutuar, ndër të tjera, programin bërthamor të Iranit.
Armiku numër 1 i Iranit, Izraeli e kishte mirëpritur tërheqjen e Shteteve të Bashkuara në vitin 2018 nga Donald Trump nga Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), marrëveshja ndërkombëtare e vitit 2015 për programin bërthamor të Iranit, por i frikësohet këto ditë një rinovimi të marrëveshjes në një kohë kur negociatat duket se po përshpejtohen.
Uashingtoni tha këtë javë se Teherani po bënte lëshime.
Ndërkohë dje SHBA-të konfirmuan se i kanë përcjellë Bashkimit Evropian përgjigjen ndaj një plani që synon ringjalljen e marrëveshjes së vitit 2015.
Megjithatë, Izraeli vazhdon të kundërshtojë rinovimin e marrëveshjes, veçanërisht nëse kjo nënkupton heqjen e sanksioneve ekonomike kundër Teheranit.
“Sipas mendimit tonë, marrëveshja nuk i plotëson kriteret e vendosura nga vetë presidenti Biden: të parandalojë që Irani të bëhet një shtet bërthamor”, tha kryeministri në një takim me shtypin e huaj në Jerusalem.
Për liderin e opozitës Benjamin Netanyahu, kundërshtari kryesor i Lapidit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kjo marrëveshje “e lejon Iranin të marrë gjithçka dhe të mos japë asgjë”.
Duke folur në një konferencë për shtyp, ish-kryeministri për çështjen iraniane tha se “nuk ka dallim mes të djathtës dhe të majtës”.
Ditët e fundit, Lapid i ka bërë thirrje presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz të mos nënshkruajnë një marrëveshje me Teheranin.
Ish-kryeministri Naftali Bennett, një linja e ashpër kundër Teheranit, i bëri thirrje të martën presidentit amerikan Joe Biden që të “përmbahet, edhe në këtë moment të fundit, nga nënshkrimi i një marrëveshjeje me Iranin”./abcnews.al/