Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Terrorizmi si një armë shtesë në konfliktin midis fuqive të mëdha, sfida e radhës e Perëndimit

schedule13:14 - 23 Gusht, 2022

schedule 13:14 - 23 Gusht, 2022

Nga Raffaello Pantucci “Financial Times

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Terrorizmi është e kaluara, ndërsa e ardhmja është konflikti midis fuqive të mëdha. Në një moment kur narrativa publike ishte thuajse e përsosur, vdekja e liderit të Al-Kaedës, Ayman Al-Zawahiri u la pothuajse tërësisht në hije nga vizita në Tajvan e kryetares së Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi.



Megjithatë, ekziston rreziku i lënies pas dore i skenarit, kur të dyja problemet mund të ngatërrohen dhe ta përkeqësojnë njëri-tjetrin. Ndërsa agjencitë e sigurisë kombëtare e përqendrojnë vëmendjen e tyre tek shtetet, ato do t’i japin në mënyrë të pashmangshme  përparësi kërcënimeve terroriste.

Por ndryshimi nuk ka të ngjarë të jetë dhe aq i rregullt sa sugjeron kjo situatë. Edhe më shqetësues sesa rreziku i kushtimit të më pak vëmendje ndaj grupeve terroriste, është potenciali që të dyja kërcënimet të ndërveprojnë me njëra-tjetrën. Në skenarin më të keq, konflikti i fuqive të mëdha mund ta përkeqësojë fenomenin e terrorizmit global.

Përdorimi nga shtetet i grupeve terroriste si milicitë e tyre luftarake, nuk është ndonjë dukuri e re. Irani ka një histori të gjatë në këtë drejtim. Hizbollahu në Liban, është më i madhi nga milicitë e shumta që ka përdorur Irani për të sulmuar kundërshtarët e tij. Gjatë viteve të fundit, Teherani është bërë më i hapur ndaj përdorimit të taktikave terroriste të drejtpërdrejta.

Në korrikun e vitit 2018, një diplomat iranian u arrestua në Gjermani së bashku me një çift  iranianësh në Belgjikë, me akuzën e planifikimit të sulmeve me bomba ndaj një tubimi të nivelit të lartë të disidentëve iranianë (muxhahedinët) që do të mbahej në Paris.

Në atë aktivitet do të merrte pjesë edhe Rudy Giuliani, ish-avokati i Donald Trump dhe disa deputetë britanikë. Këtë muaj, Departamenti Amerikan i Drejtësisë, akuzoi një anëtar të Gardës Revolucionare të Iranit për udhëzimin e agjentëve të tij sekretë në SHBA për të vrarë John Bolton, këshilltarin e Donald Trump për sigurinë kombëtare.

Teherani mund të jetë shteti më i prirur ndaj taktikave të tilla, por nuk është fuqia e vetme

që përdor grupe apo përfshihet në komplote të tilla. Dora e Moskës, mund të shihet pas disa rrjeteve terroriste të ekstremit të djathtë në Evropë. Nga ana tjetër, India ka zbuluar se shërbimet sekrete kineze qëndrojnë pas disa prej konflikteve të saj të brendshme.

India dhe Pakistani e kanë përmirësuar artin e manipulimit të grupeve të tilla kundër njëri-tjetrit. Rreziku i dytë vjen nga mënyra se si lufta kundër terrorizmit është zbatuar në mbarë botën. Ndërsa Perëndimi po lodhet nga fushatat e gjata kundër terrorizmit në vende të largëta, ai po i tërheq burimet e veta. Është e qartë se disa aftësi janë ruajtur, por në disa vende është shfaqur një boshllëk, që është mbushur shpeshherë nga Rusia.

Grupi i mercenarëve Wagner ka ndërhyrë për të forcuar pozitat e autoriteteve lokale dhe nisur një ofensivë në emër të anti-terrorizmit. Sesa ndihmon kjo gjë, është e diskutueshme. Shpesh duket sikur këto fushata e shtojnë zemërimin që nxit krijimin e grupeve terroriste.

Mali është shembulli më i dukshëm. Atje situata është përshkallëzuar deri në pikën që qeveria e vendit po e akuzon tani Francën – deri dje në krye të ndihmës kundër terrorizmit – se po bashkëpunon me xhihadistët. Në të njëjtën kohë, Wagner përshëndetet në rrugët e kryeqytetit Bamako.

Por forcat e Wagner janë dislokuar gjithashtu edhe në Republikën e Afrikës Qendrore, Libi dhe Mozambik, që të gjitha vende që vuajnë nga terrorizmi, dhe ku Perëndimi nuk ka arritur t’i adresojë si probleme, ose nuk ka interes. Sipas një pikëpamjeje, për të është lehtësuese që dikush tjetër të merret me probleme të tilla.

Por rreziku është se Wagner vetëm sa po e përkeqëson situatën. Ose mund të përpiqet të manipulojnë grupet në terren për synimet e tij, pa marrë aspak parasysh reagimin që mund të godasë Perëndimin. Ose, ky mund të jetë vërtet qëllimi i këtij grupimi.

Ana tjetër e këtij ndryshimi të fokusit, është se heqja e presionit nga grupet terroriste mund të përfundojë pa u fokusuar fare tek ata. Ne nuk e dimë vërtet nëse arsyeja që tani po shohim një kërcënim terrorist të dobët, është sepse kërcënimi ka rënë, apo për shkak të presionit që ushtrohej dikur mbi të.

Natyra e saktë se si kërcënimi dhe reagimi luajnë kundër njëri-tjetrit, është keqkuptuar. Por vetëm për shkak se nuk shqetësohemi për një problem, kjo s’do të thotë që ai nuk ekziston më. Është e vështirë të thuhet plot besim, se është zgjidhur ndonjë nga çështjet themelore që shkaktuan kërcënimin terrorist ndërkombëtar.

Madje disa analistë mendojnë se ato janë përkeqësuar. 20 vjet konflikte e kanë ndryshuar kërcënimin terrorist ndërkombëtar me të cilin përballemi. Por ai nuk është zhdukur, dhe në një rikthim të mundshëm, mund të nisë të kombinohet me konfliktin e madh midis fuqive të mëdha që po shohim tani në Ukrainë.

Bota e ka zakon që të na hedhë mbi shpinë shumë probleme. Në një botë ku ka rritje të kërcënimit, keqinformimit, milicive të armatosura në funksion të palëve të treta, grupet terroriste ofrojnë një mjet të përsosur për t’u shfrytëzuar. Një ditë Perëndimi mund të pendohet se përse nuk ka më qartësinë relative, që kishte në vitet e para të luftës kundër terrorizmit. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!