“Moska po kërkon negociata,” këshilltari i Presidencës ukrainase: Ne nuk dorëzohemi, asnjë kontakt me Rusinë

schedule20:21 - 22 Gusht, 2022

schedule 20:21 - 22 Gusht, 2022

Rusia po kërkon të tërheqë Ukrainën në negociata të reja për t’i dhënë kohë për të rivendosur kapacitetet e saj ushtarake dhe për të nisur një ofensivë të re. Kjo është ajo që ka pohuar një këshilltar i presidencës ukrainase pasditen e së hënës.

Për javë të tëra, Kremlini “është përpjekur të bindë Ukrainën që të angazhohet në negociata” për të “ngrirë konfliktin, duke ruajtur status quo-në aktuale në territoret e pushtuara ukrainase “, tha Mykhailo Podoliak për AFP.

Ai shtoi se Rusia është duke i përcjellë propozimet e saj duke përdorur ndërmjetës të ndryshëm, por pa i përmendur se cilët janë këta të fundit. Sipas Kievit, aktualisht nuk ka asnjë kontakt me Rusinë në nivel politik.

Presidenti turk Rexhep Erdogan, i cili u takua me homologun e tij rus në fillim të gushtit dhe më pas shkoi në Ukrainë të premten për herë të parë në gjashtë muaj, është shprehur vazhdimisht se është i gatshëm të ndërmjetësojë mes Kievit dhe Moskës.

Ukraina, megjithatë, beson se në realitet Moska “nuk dëshiron” negociata serioze paqeje, por vetëm një “pauzë operacionale” për ushtrinë e saj, në mënyrë që të mund të nisë më pas një ofensivë të re, komentoi Podoliak.

Kujtojmë se Kievi kundërshton çdo negociatë mbi territoret e pushtuara nga Rusia, të cilat shpreson t’i rimarrë. Kjo përfshin territoret nën kontrollin e separatistëve pro-rusë në Ukrainën lindore, si dhe gadishullin e Krimesë, i cili u aneksua nga Rusia në 2014. /abcnews.al/