Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka dalë në një deklaratë për mediat në lidhje me incidentin që ndodhi në Uzinën e Gramshit, të shtunën mbrëma. Peleshi tha se bëhet fjalë për tre të huaj që ndodhen prej disa ditësh në vend dhe se kanë qenë nën vëzhgim.
Ministri sqaroi se ajo që i bën autoritetet të dyshojnë për spiunazh është fakti që ata janë nisur drejt e te Uzina dhe kanë nisur të fotografojnë. Por Peleshi theksoi se ende nuk mund të thuhet nëse ata janë blogërë apo agjentë.
Ndërsa tha se situata duhet vlerësuar edhe në rrafshin gjeopolitik, ministri shtoi se autoritetet nuk mund të nxitohen.
“Fakti që u sollën dhunshëm, na bëjnë të dhunojmë. Dyshojmë për spiunazh pasi u futën drejt në uzinë dhe fotografuan. Agjencia e inteligjencës ka qenë e informuar qëkur ka nisur ngjarja. Presim të zbardhet ngjarja.”
Po ashtu, Peleshi hodhi poshtë zërat, sipas të cilëve, Uzina kishte tre vite pa energji elektrike.
Çfarë ndodhi mbrëmë në Gramsh?
2 shtetas rusë dhe një ukrainas tentuan të futen dje e shtunë ( 20 gusht) në uzinën e përpunimit të armëve në Gramsh.
33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, me pasaportë ruse, Mikhail Zorin 23-vjeç me pasaportë ruse, dhe një tjetër i ri me pasaportë ukrainase u arrestuan nga autoritetet shqiptare mbrëmjen e së shtunës pas incidentit në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh.
Në momentin që njëri prej tyre tentoi të futej në godinën ushtarake dhe ta fotografojë atë ka ndodhur një përplasje me rojet ushtarake.
Si pasojë e përplasjes mbetën të lënduar ushtarakët Ardi Bici dhe Ardjan Xhaka, gjendja shëndetësore e të cilëve u përmirësua më pas, pas transportimit në Pavijonin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Ndërkohë dyshimet janë se tre të huajt mund të jenë agjentë.
Megjithatë ata pretendojnë te jenë blogerë, që udhëtojnë nëpër botë dhe fotografojnë baza ushtarake të braktisura./abcnews.al/