Përgjatë magjistrales Mitrovicë-Rashkë, në veri të Kosovës, situata është e qetë. Por, në këtë pjesë të territorit po vërehet prezencë e shtuar e trupave të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Rritjen e prezencës së trupave në këtë zonë e kishte konfirmuar edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, më herët gjatë kësaj jave.
Në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht u rritën tensionet, pasi serbët lokalë ngritën barrikada për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës: atë për targat dhe dokumentet serbe. Barrikadat u hoqën, por NATO ka përsëritur se KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë, nëse rrezikohet stabiliteti.
Në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe, më 20 gusht është parë prezencë e shtuar e ushtarëve amerikanë të KFOR-it, që shërbejnë në Kosovë. Situata në këtë zonë të Kosovës është e qetë.
Më 31 korrik dhe 1 gusht, tensionet u rritën në veri të Kosovës, pasi serbët lokalë ngritën barrikada për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës, atë për targat dhe dokumentet serbe Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, vazhdimisht ka përsëritur se është i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës.
Pjesëtarë të KFOR-it amerikanë në Jarinjë, në veri të Kosovës. Më 31 korrik dhe 1 gusht, rrugët që çonin drejt pikëaklimit kufitar të Jarinjës, që lidh Kosovën dhe Serbinë, u bllokuan nga barrikadat. Por, ato u hoqën pasditen e 1 gushtit.
Prezencë e KFOR-it shihet edhe në Rudarë, një tjetër zonë ku u ngritën barrikada 3 javë më parë. Prezencë e shtuar e KFOR-it është parë përgjatë gjithë magjistrales Mitrovicë-Rashkë, në veri të Kosovës.
KFOR ka afër 4.000 ushtarë në Kosovë dhe funksionon sipas mandatit që derivon nga rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara.
Qeveria e Kosovës pasditen e 1 gushtit shtyu zbatimin e dy vendimeve për targat dhe dokumentet serbe deri më 1 shtator. Vendimi për targat ka të bëjë me riregjistrimin e të gjitha makinave që qarkullojnë në veri, e që janë të pajisura me targa serbe. Ndërkaq, vendimi për dokumentet konsiston me lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, që hyjnë në Kosovë. Këtë praktikë, Serbia e aplikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.
Pas rritjes së tensioneve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Në takimet e mbajtura më 18 gusht, palët nuk arritën asnjë marrëveshje sa i përket targave dhe dokumenteve serbe. Por, BE-ja tha se Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë dialogun për këto çështje si dhe për një marrëveshje finale për normalizimin e plotë të raporteve./REL/