Rrezikoi jetën për të shpëtuar motër e vëlla nga Kosova, rrëfimi i babait për heroin që dha gjithçka në Shëngjin

schedule15:28 - 20 Gusht, 2022

schedule 15:28 - 20 Gusht, 2022

Robert Neçaj, vrojtues i plazhit në zonën Rana e Hedhun në Shëngjin, u kthye në hero pak ditë më parë. pasi shpëtoi nga mbytja vëlla e motër nga Kosova që po pushonin aty. Ai pati probleme me shëndetin pasi i shpëtoi sepse piu shumë ujë duke përfunduar në spital, por tani është jashtë rrezikut për jetën.

Pas kësaj ngjarjeje, Familja Neçaj ka bërë një dedikim emocionues nëpërmjet rrjeteve sociale. Babai i tij, Tonin Neçaj ka rrëfyer gjithë ngjarjen nëpërmjet një postimi në Facebook duke dhënë detaje edhe për shëndetin e të birit.

Tonin Neçaj sqaron se Roberti, heroi që shpëtoi vëlla e motër nga Kosova, nuk ishte vrojtues në atë zonë, megjithatë, ai kishte ndërhyrë pasi pa që të rinjtë ishin në rrezik.

“Për ata që janë kurioz sqarojmë se Roberti nuk ka qënë vrojtues në atë zonë. Ora ka qënë rreth 19:30, kur Roberti ka shkuar si zv/President i Federatës së Vrojtuesëve të plazhit për të shpërndarë mjete pune për Vrojtuesit në Shëngjin. Dy adoleshentë kosovarë 16-17 vjeç, vëlla e motër, i ka tërhequr deti kur kanë hyrë në ujë, në një vend, jashtë zonës së mbulimit nga vrojtuesit e plazhit, tek Rana e Hedhun. Djalin e kapi epilepsia (sëmundja e tokës), ndërsa vajza tmerrohet”, thuhet në rrëfimin e babait të Robertit.

May be an image of 1 person, standing and outdoors

 

“Ata arrijnë aty ku deti kishte deri në 4-5 m thellësi dhe trazira dhe fillojnë të kërkojnë ndihmë. Por, si një ditë me pak reshje shiu, në orar të vonë dhe larg mundësive për ndihmë, aty afër pothuajse nuk kishte njerëz. Në këtë moment Roberti vendos të ndërhyjë për t’i ndihmuar, ndonëse e parashikonte rrezikun. Por “i mbyturi të mbyt”. I “sulmuar” nga të dy të rinjtë, për të mos u mbytur, Roberti nuk tërhiqet, por fundoset disa herë duke i mbajtur kokat e tyre jashtë ujit . Ai i mbron të rinjtë por pin shumë ujë vetë.“Kur i nxjerr ata në cektësi, vetë mbetet pa ndjenja sapo mbërrin në breg. Tashmë Roberti është përmirësuar mirë dhe ndihet i lumtur për suksesin e arritur! Faleminderit me përultësi të gjithëve!””, thotë më tej Tonin Neçaj.

Pas gjithë kësaj situate, Roberti ishte detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore. Fatmirësisht, ai aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

“Faleminderit për vlerësimin që i keni bërë rastit të djalit tonë, Robertit, në sensin e humanizmit dhe dhimbjes njerëzore! Falë humanizmit dhe ndjenjës së korrektësisë në punë, Roberti u bë pre e ngjarjes së pardjeshme. Është kënaqësi e jona që ai sakrifikoi për shpëtimin e dy jetëve të dy të rinjve,vëlla e motër adoleshentë. Ndihemi shumë të lumtur që më në fund shpëtoi edhe jeta e Robertit, falë përgatitjes së tij profesionale dhe kujdesit të organeve shëndetësore të spitalit të Lezhës”, ka shkruar ai në facebook.

Në Shqipëri muajve të fundit ka pasur kritika në lidhje me mungesën e rojeve të plazhit. Së fundmi, ishte regjistruar një rast tragjik në Himarë, ku si pasojë e mjeteve lundruese ishte vrarë një vajzë e vogël.