Qeveria e Dritan Abazoviçit në Mal të Zi u rrezua mbrëmë në orët e vona të natës pas një mocioni mosbesimi, i cili u miratua me 50 vota nga 41 të nevojshme në parlamentin me 80 anëtarë.
Abazoviç u rrëzua pas marrëveshjes me Kishën Serbe, gjë e cila ishte kundërshtuar për dekada me radhë nga vetë malazezët. Iniciator i mocionit të mosbesimit ishte pikërisht partia e Milo Gjukanoviçit, DSP, me të cilën më herët kishin qenë aleatë.
Në një intervistë për gazetaren e ABC, Linda Karadaku, Nikollë Camaj kreu i partisë Lidhja Demokratike Shqiptare në Mal të Zi shprehet se Abazoviçin e rrëzuan pikërisht ata që e çuan në postin e kryeministrit.
“Ai u tregua i paaftë në zgjedhjen e prioriteteve dhe jo dinjitoz gjatë procesit të shkarkimit”, shprehet ai.
Intervista:
Linda Karadaku ABC – Çfarë ndodhi mbrëmë?
Nikollë Camaj: Ndodhi ajo që njohësit e politikës e pritnin, rënia e Qeverisë Abazoviç. Pas një debati mjaft të ashpër, plotë akuza e fjalë të rënda, 50 deputetë, nga 81, sa ka Parlamenti i Malit të Zi, votuan mosbesimin e qeverisë. Dy deputetët shqiptarë patën qendrime të kunderta, në raport me micionin. Dritan Abazoviçin e rrëzuan ata që e emëruan, sëbashku me ata që ky vet i kishte nderruar, në fillim të këtij viti.
Dritan Abazoviç kërkoi përkrahjen e shumicës së dalur nga zgjedhjet e 30 gishtit 2020, me premtim se do të bënte qeverinë me atë shumicë, pra serbe, por Demokratet nuk i besuan për t’i dhënë mbështetje. Për mendimin tim Abazoviç si kryeminister u tregua i paaftë në përzgjedhjen e prioriteteve dhe jo mjaft dinjitoz gjatë procesit të shkarkimit.
Linda Karadaku ABC – Çfarë pritet që të ndodhë tutje?
Nikollë Camaj: Qeveria vazhdon në mandatin teknik për 60 ditë, aq sa ka afat ligjor që dikush të formojë një shumicë të re.
Nëse kjo nuk ndodh, kryetari i shtetit ka obligim të shpallë zgjedhjet e reja. Kjo mund të ndodh edhe më parë, nëse Parlamenti i shkurton vetes mandatin. Sidoqoftê, në bazë të paraljmërimeve nga mbrëmë, zor se do të ketë shumicë të re, por këtu askush nuk mund të jetë i sigurtë në hapat politikë që do të bëjnë të dëshmuarit për të thënë diçka, e për të bërë diçka tjetër.
Thonë se politikanët gjithkund shiten, e në Malin e Zi sikur jepen me qera, kështu që parashikimet janë të pamundura. Personalisht mendoj se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje!
E kam thënë diku më parë dhe dua ta përsërisë se qeveri stabile do te kemi vetëm atëherë kur dy palët që përfaqësojnë shumicën (figurativisht, partizanët dhe çetnikët) të ulen në tryezen e bisedimeve, por pasi të jenë çliruar nga tepricat; të parët nga hajdutët dhe të korruptuarit, e të dytet nga klerofashistët. Kombinimi i tyre, sëbashku edhe me partitë e pakicave, do të prodhonte qeveri stabile, të vërtetë proeuropiane. Nëse ata e duan shtetin e vet, do ta bëjnë këtë. /abcnews.al