Shpati Lena dhe Hakim Xhezo mbetën të vrarë në një atentat të mirëorganizuar sot në aksin Vlorë-Levan. Tre breshëri të gjata nga tre armë të ndryshme ndaj tyre e kanë bërë të pamundur shmangien nga plumbat, ç’ka përfundoi me dy objektivat të binin në kanalin anë rrugës bashkë me makinën e tyre.
Dyshohet se Xhezo dhe Lena i frikësoheshin një atentati pasi kishin marrë pjesë në vrasjen e biznesmenit Arben Beqiraj në 4 gusht 2019 në Vlorë. Autor i vrajes së tij ishte vëllai i Hakim Xhezos, Eduarti, i cili gjendet i dënuar në burgun e Kosovës në Lushnje i dënuan në vit më parë nga gjykata. Dyshohet se dy viktimat e atentatit të sotëm do të shkonin pikërisht të takonin Eduart Xhezon në burgun e Kosovës prandaj edhe në makinë iu gjetën ushqime si edhe veshje, të cilat do t’ia dërgonin atij.
Lexo KËTU gjithçka mbi atentatin e sotëm
Dyshohet se për vrasjen e tyre u përdorën tre automatikë si edhe një makinë tip “BMW” pa targa, e cila u gjet e djegur disa kilometra më tej. Viktimat lëviznin me makinë të blinduar shpesh në këtë itinerar, por kësaj radhe kishin zgjedhur një makinë normale dhe duket se autorët nuk e kanë humbur si rast. Fillimisht ata i kanë parakaluar dhe më pas kanë qëlluar dhjetra plumba në drejtim të tyre.
Atentati
Autorët mësohet se kanë qenë 3 persona që i kanë ndjekur viktimat për disa kilometra dhe sapo janë afruar pranë mbikalimit të Panajas kanë hapur zjarr duke i lënë të vdekur në vend.
Mësohet autorët kanë dalë paralel me makinën e viktimave dhe kanë qëlluar, më pas gjatë parakalimit ata kanë qëlluar edhe në xhamin e parë. Ashtu siç shihet në pamjet e siguruara nga ABC makina e viktimave është bërë shoshë nga plumbat e kallashnikovit.
Shpati Lena, i vrarë sot në atentatin në Panaja të Vlorës, u arrestua 23 marsin e kaluar nga policia dhe më pas u lirua nga gjykata. Po ashtu edhe miku i tij Hakim Xhezo ishte i njohur për policinë pasi ishte dënuar me 14 muaj burg për trafik lëndësh narkotike.
Vrasja e Arben Beqirajt
Fakti që një kalë i ka prishur qetësinë disa pushuesve që po bënin plazh në Vlorë, ka shërbyer për rrahjen e Gazmend Alushit, i cili paguhej 100 mijë lek të vjetra në muaj nga Ermal allias Eduart Xhezo për kujdesin ndaj kafshës. Ai u dhunua me grushte e shkelma në 4 gusht 2019 nga Arben Beqiraj, djali i tij dhe persona të tjerë familjarë që ndodheshin në lokal. Fill pasi ka shpëtuar nga rrahja , Gazmendi ka shkuar në banesën e tij, ku aty i kishte shkuar Eduart Xhezo duke e pyetur se kush e kishte rrahur, dhe Alushi i ka pohuar se ishte dhunuar nga “Arbeni i Çeçesë”.
Xhezo, ka mobilizuar shokët e tij si Shpati Lena dhe kunatin e tij Ariel Kingji, ku të gjithë janë armatosur me automatikë dhe pistoleta, duke shkuar në ambientet e lokalit të Arben Beqiraj, për t’u sqaruar lidhur me rrahjen që ata i kishin bërë kujdestarit të kalit të Eduart Xhezos. Teksa kanë shkuar për t’u sqaruar, janë në një tavolinë dhe më pas kanë nisur përplasjet fizike deri në përdorimin e armëve, duke sjellë vrasjen e Arben Beqirajt dhe plagosjen e Nesim Hodajt. /abcnews.al