Çfarë e pengon hapjen e negociatave me Shqipërinë?

schedule14:15 - 24 Maj, 2019

schedule 14:15 - 24 Maj, 2019

Në prag të publikimit të progres-raportit të BE-së po shtohen gjasat që vendimi për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të shtyhet për në vjeshtë. Në këtë përfundim ka arritur analiza e thelluar e Deutche Welle mbi situatën politike që po kalon Shqipëria.

Një pyetje është bërë shpesh gjatë vitit të fundit në Shqipëri. Kur do të çelen negociatat e Shqipërisë me BE-në? Deutche Welle ka publikuar një analizë të situatës dhe deklaratave të politikanëve në Gjermani që në thelb janë të ndarë.

Grindja e dy partive më të mëdha në parlamentin e Gjermanisë (Bundestag) ka të bëjë me datën e votimit për çeljen e negociatave. Ndërsa socialdemokratët kërkojnë që votimi të bëhet sa më shpejt, pra, menjëherë pas publikimit të progres-raporteve të dy vendeve, Unioni Kristiandemokrat dhe Kristiansocial e ka caktuar datën e vendimit për 23 Shtator.

Një datë, me të cilën, ministri i shtetit Michael Roth, që është përfaqësuesi më i flaktë i qeverisë gjermane pro çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nuk është dakord. Siç e tha edhe një intervistë me Deutsche Ëelle-n, ai mendon se ka ardhur koha që BE-ja të mbajë premtimin e dhënë një vit më parë ndaj këtyre dy vendeve dhe të japë dritën e gjelbër për negociatat qysh në Qershor.

Por edhe pse Michael Roth është përfaqësues i ekzekutivit, nuk mund të thuhet ende me siguri nëse ky është qëndrimi përfundimtar i qeverisë gjermane. Kancelarja Angela Merkel nuk e ka shprehur akoma mendimin e saj për këtë çështje.

Zëdhënësi i saj, Steffen Seibert, i pyetur para disa kohësh në konferencën e rregullt të shtypit, tha se “vendimi për çeljen e negociatave do të varet nga progres-raporti i Komisionit”. Por sipas ligjit, qeveria gjermane duhet të marrë parasysh edhe mendimin e Bundestagut para se të formulojë qëndrimin e saj për Këshillin e BE-së në qershor të këtij viti.

Siç ka ndodhur edhe më parë, deputetët gjermanë të partisë CDU/CSU, pritet ta formulojnë mendimin e tyre edhe pasi të jenë konsultuar më parë me Francën. E kjo është shumë skeptike sidomos ndaj Shqipërisë: së pari, për shkak të numrit jashtëzakonisht të madh të azilkërkuesve nga ky vend dhe së  dyti, për shkak të “imazhit të keq” të krijuar nga kontrolli i tregjeve ilegale në Evropë dhe lidhjet e “mafies shqiptare” me trafikime, bëjnë të ditur burimet diplomatike.

Kjo është një gjë të cilën Maqedonia Veriore nuk e ka. Prandaj edhe qarqet diplomatike nga Brukseli, thonë se, nëse vjen deri te ndonjë vendim i negociuar politikisht, atëherë çelja e negociatave me Maqedoninë e Veriut do të jetë më e mundshme se ajo me Shqipërinë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!