Maqedoni e Veriut, dorëhiqet zyrtari i lartë

schedule21:00 - 23 Maj, 2019

schedule 21:00 - 23 Maj, 2019

Publikimi i disa përgjimeve ka gjunjëzuar kreun e Komisionit Parlamentar të Mandateve në Maqedoninë e Veriut. I ndodhur përpara një skandali droge, Pavle Bogoevski ka dhënë dorëheqjen para se komisioni që drejtonte të vendoste heqjen e mandatit.

Përgjimet e publikuara në rrjetet sociale ku dëgjohet se si deputeti Pavle Bogoevski porosit lëndë narkotike, e detyruan që të jep dorëheqje. Ashtu siç pritej, që në fillim të seancës së Komisionit për çështje të mandatit dhe të imunitetit u kërkua që Pavle Bogoevski mos ta udhëheq seancën. Deputetja Nevenka Stamenkovska madje kërkoi që të ndryshohet edhe rendi i ditës, dhe përveç marrjes së mandatit të Gruevskit, të vendoset edhe pika për përgjegjësinë etike të Pavle Bogoevskit.

Nevenka Stamenkovska, deputete e VMRO DPMNE-së: “I propozojmë Komisionit për çështje të mandatit dhe imunitetit e cila është kompetente për të verifikuar veprime që shkelin kodeksin, rendin e ditës ta plotësojë me pikë të re e cila do të jetë e para, e ajo është, verifikimi i shkeljes së Kodeksit për sjellje etike të Deputeteve të Republikës së Maqedonisë nga ana e deputetit Pavle Bogoevski dhe shqiptimin e masave për shkelje që janë të parapa në suaza të kodeksit”.

E deputeti Bogoevski nuk lejoi as të votohet ndryshimi i rendit të ditës, por doli dhe dha dorëheqje. Dorëheqja e tij do të zyrtarizohet menjëherë pasi të kryhet votimi në seancë plenare për marrjen e mandatit të Nikolla Gruevskit, paralajmëroi Bogoevski. Në fjalimin e tij, u drejtua edhe deputeteve të VMRO DPMNE-së

Pavle Bogoevski, deputet i pavarur:  “Nga ky moment e më tutje, më nuk ekziston pyetja se a ka legjitimitet Pavle Bogoevski ta udhëheq komisionin që do t’ia merr mandatin Nikolla Gruevskit, ose a duhet që Pavle Bogoevski të vazhdoj të jetë deputet… Tani lind pyetja se a do të tregojnë deputetet e VMRO DPMNE-së, qoftë edhe pak nga etika dhe morali që në mënyrë arrogante e tregonin këto javë dhe a do ta mbrojnë kriminelin në ikje Nikolla Gruevskin apo do t’ia marrin mandatin!? Mos ta gënjejmë veten… Nëse në Kuvend nuk ka vend për një njeri që e ka shkel ligjin që të blej vaj nga kanabisi për një familjar të sëmurë, sigurisht nuk ka vend për deputet që i përdor paratë e qytetarëve për të paguar hotelin derisa po ik nga drejtësia e Maqedonisë”.

E deputeti i VMRO DPMNE-së, Dimitar Stevananxhija ia dha dorën Bogoevskit, por kolegët e tij nuk e morën as guximin të dalin në foltoren e Kuvendit. E thirrën pres konferencën në parti, ku foli zëdhënësi.

Naum Stoilkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së:  “I mbajtët 30 pres konferenca për etikën dhe moralin e Pavle Bogoevskit, e ku është tani etika dhe morali… Po e mbroni Gruevskin që është i akuzuar në dhjetëra raste…? Bëhet fjalë për përndjekje politike… Cila pjesë nga përndjekja politike nuk është i qartë për ju?”

Mbrëmë, deputeti Emil Dimitriev u pyet nga gazetarët se a do të votonte personalisht për marrjen e mandatit të Gruevskit… Tha se nuk mund ti merr dikujt diçka që nuk ia ka dhënë. Menjëherë pas dorëheqjes së Bogoevskit, deputetja Frosina Remenski, kërkoi dorëheqje nga Trajko Veljanovski, i cili është i akuzuar për organizimin e 27 prillit./ABC News Albania 24/7