Me 70 vjet burg është dënuar një bandë që merrej me lëndët narkotike në Gloucester të Britanisë së Madhe. Në total janë 11, pjesëtarët e dënuar të grupit kriminal, mes tyre edhe dy shqiptarë.
Bëhet fjalë për Granit Nanushin dhe Orsid Celën. I pari bazën e kishte në Londër dhe ishte përgjegjës për disa udhëtime drejt Gloucester-it në rolin e korrierit. Ai përdorte një celular të koduar dhe një vend të posaçëm në makinë për të fshehur drogën gjatë kohës që e transportonte.
Makina e tij u sekuestrua pasi kishte disa gjoba parkingu të papaguara. Gjatë një kontrolli, autoritetet gjetën një ndarje të fshehtë në të cilën 40-vjeçari kishte fshehur 60 gramë kokainë dhe 4.500 paund. Nanushi u dënua me 8 vjet burg.
Ndërkohë, Cela u dënua me 3 vjet heqje lirie. Edhe 29-vjeçari kishte rolin e korrierit në bandë. Ai u arrestua më 11 Nëntor të vitit të kaluar. I riu shqiptar u kap teksa i dorëzonte një anëtari tjetër të grupit kriminale 2 kilogramë drogë. Atë ditë ishte edhe hera e parë që Cela u pikas nga policia.
Përveç dy shqiptarëve, në pranga ranë edhe kreu i grupi dhe klientë të tyre. Arrestimi i tyre u realizua pas qindra orësh përgjime nga autoritetet britanike./abcnews.al