SHBA thërret ambasadorin kinez në Shtëpinë e Bardhë për ta “qortuar” pas tensioneve në Tajvan

schedule11:49 - 5 Gusht, 2022

schedule 11:49 - 5 Gusht, 2022

Washington Post raporton se ambasadori i Kinës në SHBA është thirrur në Shtëpinë e Bardhë.

“Pas veprimeve të Kinës gjatë natës, ne thirrëm ambasadorin Qin Gang në Shtëpinë e Bardhë për ta diskutuar në lidhje me veprimet provokuese të PRC”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë John Kirby në një deklaratë të dhënë për Washington Post.

“Ne dënuam veprimet ushtarake të PRC, të cilat janë të papërgjegjshme dhe në kundërshtim me qëllimin tonë afatgjatë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit.”

Dje Washington Post publikoi një postim të ambasadorit, në të cilin ai parashtronte këndvështrimin e Kinës mbi mosmarrëveshjen në përshkallëzim.

Në artikullin e titulluar “Pse Kina kundërshton vizitën e Pelosit në Tajvan”, Qin Gang shkroi: Tajvani ka qenë pjesë e pandashme e territorit të Kinës për 1800 vjet. Kur Kina dhe Shtetet e Bashkuara vendosën marrëdhënie diplomatike më 1 janar 1979, Shtetet e Bashkuara njohën në komunikatën e përbashkët me Kinën se qeveria e Republikës Popullore të Kinës është qeveria e vetme ligjore e Kinës. Kanë kaluar katër dekada që nga ajo kohë dhe Shtetet e Bashkuara janë angazhuar prej kohësh që të mos zhvillojnë marrëdhënie zyrtare me Tajvanin.

Sipas rendit të trashëgimisë, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi është zyrtarja e tretë më e lartë në SHBA. Duke udhëtuar me një avion ushtarak, Pelosi bëri një “vizitë zyrtare” të profilit të lartë në Tajvan këtë javë, siç e përshkroi zyra e saj në deklaratën e mbërritjes, dhe iu dha trajtimi me protokoll të plotë nga autoritetet e Partisë Demokratike Progresive të Tajvanit, të cilët nuk e fshehin duke kërkuar pavarësinë në platformën e tyre partiake. Një vizitë e tillë ka thyer hapur angazhimin e Amerikës për të mos zhvilluar marrëdhënie zyrtare me Tajvanin. Ky pozicion është i diskutueshëm. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg , tha dje se Kina nuk ka arsye për të reaguar, pasi “SHBA dhe aleatët e tjerë të NATO-s kanë bërë vizita rregullisht me zyrtarë të lartë në Tajvan gjatë viteve”.

Takimi u zhvillua midis Kurt Campbell, carit të Azisë së Presidentit të SHBA Joe Biden, dhe Qin, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, i cili foli për Postin në mënyrë anonime.

Lajmi për takimin – i cili u zhvillua të enjten – erdhi menjëherë pasi Nancy Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, u sanksionua nga Kina për vizitën e saj në Tajvan .

/Abcnews.al/