Qeveria negociata për të hequr tarifën e skanimit për Kosovën

schedule18:15 - 21 Maj, 2019

schedule 18:15 - 21 Maj, 2019

Bizneset dhe qeveria e Kosovës kërkuan heqjen e tarifës së skanimit por edhe atë të rrugës së Kombit për bizneset e Kosovës. Pagesën për skanerin zv/kryeministri Fatmir Limaj e quajti haraç, ndërsa minsitrja e financave Anila Denaj premtoi bisedime me kompaninë koncesionare për ta hequr këtë taksë për sipërmarrjet e Kosovës.

Në vitin 2013, Shqipëria dhe Kosova firmosën disa marrëveshje për të rritur bashkëpunimin e për të hequr barrierat tregatre mes dy vendeve, por 5 vjet që nga ajo kohë biznesi thotë se asgjë nuk ka ndryshuar, përveç rritjes së kostove tregtare. Astrit Panxha, drejtor i Forumit Ekonomik Mbarë Shqiptar  tha se çmimet e referencës, taksa në rrugën e kombit dhe tarifa e skanimit në dogana kanë shtuar ndjeshëm barrën e pagesave për bizneset e Kosovës.

I drejtëpërdrejtë ishte edhe zv/kryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, i cili i tha ministres së Financave se tarifa e skanimit 22 euro për çdo mall të ndryshëm që skanohet, pavarësisht që është në të njëjtin kamion, nuk është tarifë sigurie, por një haraç për biznesin.

Vetë Anila Denaj premtoi se qeveria do të nisë bisedimet me koncesionarin për të riparë edhe njëherë pagesat e skanerit në dogana.

Koncesioni i skanimit u miratua nga parlamenti në mars të vitit 2013-ë fillimisht me tarifën 40 euro për çdo deklaratë doganore. Kjo marrëveshje hyri në fuqi në vitin 2015-ë pas negociatave të qeverisë me kompaninë për të ulur pagesën në 22 euro, ku pjesën e mbetur prej 18 eurosh e paguan buxheti i shtetit nga taksat që mblidhen. Në 5 vitet e fundit Shqipëria dhe Kosova kanë rritur me rreth 100 milion dollarë shkëmbimet tregtare, por më pak krahasuar me vendet e tjera të rajonit./ABC News Albania 24/7