Patriarku serb hyri në Mal të Zi pa kaluar kontrollin në doganë, jep dorëheqjen kreu i policisë kufitare

schedule11:02 - 4 Gusht, 2022

schedule 11:02 - 4 Gusht, 2022

Shefi i policisë kufitare, Vasko Akoviç, ka dhënë dorëheqjen, pasi sipas medieve në Mal të Zi, patriarku serb Porfirije ka hyrë  dhe ka dalë nga Mali i Zi,  pa u kontrolluar dhe pa u regjistruar.

Lajmin e  ka komentuar edhe kryetari i Komitetit Malazez të Helsinkit, Miodrag Vllahoviç, i cili ka shprehur respektin e tij për Akoviçin për atë vendim.

“Kreu rajonal i policisë kufitare, Vasko Akoviç, ka dhënë sot dorëheqjen  për shkak se Patriarku i Kishës së Serbisë, Porfirije Periq, ka hyrë dhe ka dalë në Mal të Zi me të gjithë delegacionin pa asnjë kontroll dhe regjistrim. Respekt i madh për këtë njeri”, ka shkruar Vlahoviç në Twitter.

Dorëheqja e Akoviçit është komentuar në rrjetet sociale nga motra e tij Marina Akoviç, e cila thotë se punonjësit e doganës bënë veprime të paligjshme pas shpinës së tij.

“Vëllai im Vasko Akoviç dha dorëheqjen sot sepse kolegët e tij, ia punuan pas shpine dhe organizuan hyrjen e paligjshme të patriarkut në Mal të Zi pa procedurë zyrtare”, ka shkruar motra e tij në Facebook.

Kujtojmë se kryeministri i Mali të Zi, Dritan Abazoviç, konfirmoi dje, 3 gusht se ishte nënshkruar Marrëveshja Themelore ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe, e cila parasheh rregullimin e marrëdhënieve në mes të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe me bazë në Beograd.

Qeveria e Malit të Zi ka  miratuar më 8 korrik Marrëveshjen Themelore.

Marrëveshja Themelore për marrëdhëniet ndërmjet shtetit të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe përmban kryesisht obligimet e shtetit dhe institucioneve ndaj kësaj bashkësie fetare.

Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi i mundësohet eksterritorialiteti i objekteve fetare, hapet mundësia mësimit fetar në shkollat publike, i njihet subjektiviteti për gjashtë shekuj më i gjatë se sa që Kisha Ortodokse Serbe ka në Serbi, i jep asaj kompetenca publike-juridike dhe në disa fusha ia mundëson statusin ligjor të barabartë me institucionet shtetërore.

Marrëveshja ka nxitur partinë opozitare Fronti Demokratik që mbështet nënshkrimin e marrëveshjes  të kërkojë po ashtu dorëheqjen e Abazoviçit.

Por, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka thënë se nuk do të japë dorëheqje.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!