U largua nga shtëpia pas sherrit me gruan, hetimet për shqiptarin e copëtuar në Itali: Dyshimet bien mbi familjen

schedule22:06 - 3 Gusht, 2022

schedule 22:06 - 3 Gusht, 2022

Shefki Kurti, 72-vjeçari me origjinë shqiptare u gjet i copëtuar më 28 korrik në Itali.

Sipas medieve italiane fillimisht u gjet një këmbë dhe më pas pjesët e tjera të trupit të të moshuarit.

Familjarët e tij nuk e kishin denoncuar zhdukjen.

Pasi karabinierët identifikuan trupin, shkuan për kontroll në shtëpinë e tij në Badia Polesine, Bolognese.

Uniformat blu filluan kërkimet për të kërkuar gjurmë për vrasjen e tij, por edhe gjurmë gjaku.

Hetimet nga Prokuroria Publike e Rovigos

Për momentin në dosjen e hapur nga prokurori publik i Rovigos për vrasje me dashje dhe fshehje të kufomës nuk ka asnjë të dyshuar, por gruaja dhe familja e Kurtit janë të fundit që e kanë parë gjallë.

Dyshimet e para bien mbi familjen, shkruan Corriere della Sera. Ata nuk kanë deklaruar asgjë para hetuesve.

Zbulimi i një këmbe më 28 korrik dhe hetimet

Disa teknikë të ngarkuar me pastrimin e kanalit gjetën këmbën e një njeriu mes mbetjeve të marra nga lumi më 28 korrik.

Lexo edhe: EMRI/ Shqiptari gjendet i copëtuar në një kanal në Itali

Në të njëjtën ditë më tej në rrjedhën e sipërme, dhe pikërisht në Lendinara, janë gjetur dy çanta, brenda ishte koka dhe busti i një personi.

Pjesa e tretë e enigmës është zbuluar po në 28 korrik kur pasdite në Villanova del Ghebbo, jo shumë larg vendit ku u gjet këmba, në dy çanta të tjera u gjetën dy krahë.

Dyshimet për familjen

Këmba e humbur u gjet në Adigetto, midis Lendinarës dhe Villanovës . Familja e Kurtit, e cila nuk e kishte parë që nga e diela e 24 korrikut, ditën kur burri u largua nga shtëpia pas një sherri me gruan e tij, në atë moment zyrtarizoi denoncimin për zhdukjen e tij.

Më 24 korrik djali i Shefkiut kishte telefonuar karabinierët për t’i thënë se babai i tij ishte larguar nga shtëpia. Por kishte qenë një thirrje si shumë të tjera, askush në atë moment nuk i kishte dhënë aq peshë. Zbulimi i burrit në copa ka hapur një pistë të re hetimi.

Trupi është identifikuar si Shefki Kurti nga një shenjë e veçantë,  një tatuazh që i moshuari e kishte në njërën këmbë, e fundit e gjetur në Adigetto.

Historia e Shefki Kurtit: Nga Shqipëria në Itali

Shefki Kurti dhe bashkëshortja e tij Nadire kishin mbërritur në Itali në vitet ’90, ata ishin ndër shqiptarët e parë që mbërritën në vendin fqinj. Fillimisht kishin shkuar të jetonin në Villanova del Ghebbo, Shefkiu kishte nisur menjëherë punën. Çifti më pas u zhvendos në Badia Polesine, në një apartament të rinovuar dinjitoz.

Të dy kishin dy fëmijë, Alketën me banim në Zvicër dhe Arbenin që jeton në Masi. Ky i fundit punon si DJ në diskotekat lokale, ka dy fëmijë. Asnjë familjar nuk ka pasur ndonjëherë probleme me drejtësinë. Shefkiu bënte një jetë të qetë, të rezervuar, ishte njeri pa konflikte. Hetimet e karabinierëve vijojnë./Abcnews.al/