Europa ndodhet para një dimri të ashpër, a mund të mbijetojë pa gazin rus?

schedule15:21 - 30 Korrik, 2022

schedule 15:21 - 30 Korrik, 2022

Lufta e Europës për të siguruar burime të reja të furnizimit me energji, përveç atyre ruse, tashmë është në limitet e saj, sipas një analize The New York Times.

Ndërsa Rusia forcon kontrollin e saj në tubacionet e gazit natyror në Europë, Kontinenti i Vjetër nga ana tjetër po kërkon kudo për energji të re në një përpjekje për të mbajtur në punë motorët e ekonomive europiane.

Në një kontekst të tillë, termocentralet me qymyr po kthehen në përdorim. Në të njëjtën kohë, po investohen miliarda në terminale për të importuar gaz natyror të lëngshëm (LNG), shumica e të cilit vjen nga fushat e argjilës në Teksas.

Në të njëjtën kohë, zyrtarët europianë dhe krerët e shteteve po udhëtojnë drejt Katarit, Azerbajxhanit, Norvegjisë dhe Algjerisë në një mision për të lidhur marrëveshje të reja energjetike.

Deri më tani, kjo “gjueti” për karburant mund të konsiderohet një sukses.

Megjithatë, me kalimin e kohës, me çmimet e energjisë nga njëra anë që rriten gjithnjë e më shumë dhe kërcënimet ruse nga ana tjetër që nuk tregojnë asnjë shenjë tërheqjeje, kufiri për gabimepo  ngushtohet.

“Shqetësimi për këtë dimër është shumë i lartë dhe i justifikuar,” tha për New York Times Michael Stoppard, drejtor menaxhues i S&P Global.

Sasitë e gazit natyror rus që arrin në Europë tani është reduktuar në më pak se  1/3 e sasive të importuara nga Rusia një vit më parë. Disa ditë më parë, Gazprom kufizoi më tej flukset e reduktuara në gazsjellësin Nord Stream 1 nga Rusia në Gjermani, me BE-në nga ana tjetër duke promovuar planet për të reduktuar kërkesën/konsumin e gazit me 15% brenda kufijve europianë, raporton abcnews.al.

Heqja dorë e Europës nga gazi natyror rus – një lëvizje që do të ishte konsideruar pothuajse e paimagjinueshme vite më parë,  megjithatë po shkakton shqetësime në industritë dhe fabrikat europiane në Kontinentin e Vjetër, duke i detyruar kështu qeveritë të kërkojnë burime alternative të energjisë.

Të paktën deri më tani, këto përpjekje nga qeveritë europiane kanë arritur në masë të madhe të kompensojnë reduktimet e flukseve nga pala ruse. Pavarësisht shkurtimeve të Gazprom, furnizimet me gaz natyror në Europë në gjysmën e parë të 2022 ishin pothuajse të njëjta si në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas Jack Sharples nga Instituti i Oksfordit për Studimet e Energjisë.

Kjo u arrit falë importeve të gazit natyror të lëngshëm, pjesa më e madhe e të cilit vinte nga SHBA. Tani liderët europianë janë përfshirë në një garë për të ruajtur sa më shumë gaz natyror që të jetë e mundur në mënyrë që të kenë rezerva të mjaftueshme në dispozion në raste se Rusia mbyll tubacionet.

Në këtë kuadër, zonat e depozitimit të gazit natyror në Europë janë mbushur në 67% të kapacitetit të tyre total, ndërsa një vit më parë përqindja përkatëse nuk kalonte 57%. Këto nivele u japin pak hapësirë ​​vendeve europiane, ndërkohë që krijojnë pritshmërinë se qëllimi i Bashkimit Europian për kapacitetin e ruajtjes prej 80% para dimrit ndoshta mund të arrihet – të paktën përafërsisht.

Megjithatë, shqetësimet jo vetëm mbeten por edhe intensifikohen. Lëvizjet e Rusisë për të reduktuar flukset tashmë akoma edhe më shumë mund të interpretohen gjithashtu si një përpjekje nga ana e Moskës për të penguar ose minuar lëizjet e europianëve në mënyrë që të përdorin rezervat në dimrin e ardhshëm.

Megjithatë, për pjesën tjetër, planet e europianëve mund të prishen nga zhvillime të tjera të jashtëzakonshme: një dimër i ashpër, një stuhi në Detin e Veriut që do të ndikojë në prodhimin e gazit natyror në Norvegji, uragane në Atlantik që do të vonojnë transportin e anijeve me LNG, këta janë të gjithë elementë që mund të shkaktojnë probleme dhe mungesa të tjera në Europë.

Edhe një dimër i ftohtë në Azi, i cili prej vitesh ka qenë rajoni me importet më të mëdha të gazit natyror të lëngshëm, do të intensifikonte konkurrencën e shteteve aziatike me Europën për sasitë e LNG-së që do të shitej.

Pasiguritë ekzistojnë edhe në fronte të tjera. Nga afërsisht 20 terminalet LNG që ka aktualisht Europa, asnjë nuk ndodhet në Gjermani. Berlini është në garë për të blerë deri në katër objekte të tilla, duke lënë mënjëanë 2.5 miliardë euro, por është ende e paqartë nëse ato do të jenë gati të vihen në punë shpejt për të ndihmuar në plotësimin e nevojave këtë dimër, raporton abcnews.al.

Dhe e gjithë kjo po ndodh ndërkohë që ndryshimet energjetike tashmë kanë filluar të prekin linjat europiane të prodhimit.  Tashmë ka raporte për mbyllje të fabrikave dhe shkurtime të prodhimit. Në Rumani, ALRO Group njoftoi së fundmi se po mbyll prodhimin në një fabrikë të madhe alumini dhe po pushon nga puna 500 njerëz, duke përmendur kostot e larta të energjisë.

Në vende të tjera, si Gjermania dhe Britania e Madhe, më e keqja nuk ka ardhur ende për miliona konsumatorë.

“Rreziku më i madh është se ne do të shohim një rritje të çmimeve të energjisë për familjet këtë dimër, “ tha Henning Glostein i Eurasia Group.

/abcnews.al