Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Si u bë porti grek i Aleksandropolisit një bazë strategjike për luftën në Ukrainë

schedule15:10 - 29 Korrik, 2022

schedule 15:10 - 29 Korrik, 2022

Nga Alessandro Cappelli “Linkiesta

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Një port në Greqinë Lindore është bërë një pikë strategjike për grumbullin e armëve perëndimore, para se ato të dërgohen në Ukrainë. Aleksandropolis, në Trakën e Lashtë, është vendi ku magazinohet përkohësisht një sasi të madhe materialesh ushtarake – veçanërisht amerikane – dhe prej andej dërgohen në Bullgarinë dhe Rumaninë fqinje, vende aleate të NATO-s.



Nga aty dërgohen drejt Ukrainës: avionët transportues të Kievit bëjnë vazhdimisht rrugën midis qyteteve bullgare të Varnës dhe Burgasit në Detin e Zi dhe aeroportit polak Rzeszow, pranë kufirit midis Polonisë dhe Ukrainës. Qyteti grek konsiderohet si një port i ri i privilegjuar i NATO-s në Detin Egje.

Që në janar të këtij viti, pak javë përpara pushtimit rus të Ukrainës, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u ankua se “qindra, në mos mijëra” armë i ishin dorëzuar Ukrainës pikërisht nëpërmjet këtij porti grek. Për shkak të pozicionit të saj strategjik, 15 km larg nga kufiri me Turqinë, Shtetet e Bashkuara e panë Aleksandopolisin si një qytet potencialisht vendimtar në këtë konflikt.

Më 18 korrik, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd J.Austin III, priti në një takim  homologun grek Nikolaos Panagiotopoulos, dhe së bashku diskutuan forcimin e partneritetit midis SHBA dhe Greqisë, përfshirë bashkëpunimin për përmirësimin e mbrojtjes dhe mbrojtjes kolektive.

“Marrëveshja e përditësuar e bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e mbrojtjes SHBA-Greqi, pasqyron angazhimin e palëkundur të vendeve tona për paqen dhe sigurinë e përbashkët. Dhe kjo solli edhe zgjerimin e pranisë së forcave amerikane në Greqi për të mbështetur synimet e SHBA-së dhe NATO-s për një qasje strategjike ndaj rajonit”- tha Austin, duke lënë të kuptohet hedhjen e hapave të rinj jo vetëm në bashkëpunimin dypalësh midis dy vendeve, por edhe për luftën në Ukrainë.

Në fakt qasja në portin grek, lejon një hyrje të shpejtë në Detin Marmara, dhe pastaj përmes Bosforit në Detin e Zi. “Kjo qasje na lejon të vazhdojmë të ofrojmë ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe të kundërveprojmë ndaj aktorëve keqdashës në Ballkan, Mesdheun Lindor dhe rajonin e Detit të Zi”- tha Austin javën e kaluar.

Në një artikull të gjatë të botuar të enjten e kaluar, “The Economist” tregoi rritjen e papritur të lëvizjeve në port, që zakonisht janë më të pakta se ato në portet e Athinës apo Selanikut. “Aleksandropolis është kthyer në një qytet në zgjerim të shpejtë, që nuk varet më nga shitja e kafesë, ëmbëlsirave dhe suvenireve për turistët nga Turqia dhe Ballkani. Për këtë, ai duhet të “falënderojë” pushtimin e Ukrainës nga Vladimir Putin”- shkruan revista britanike.

Në veçanti, është e rëndësishme të nënvizohet se ndryshe nga të tjerët në të njëjtën zonë, porti i Aleksandopolisit ka një kapacitet magazinimi të papërdorur. Ndaj aleatët perëndimorë të Ukrainës e kishin më të lehtë t`i çonin anijet e tyre atje për të furnizuar me armë, tanke dhe automjete të blinduara rezistencën e Kievit ndaj forcave ruse.

Duke folur për “The Economist”, kreu i ekipit lokal të logjistikës të ushtrisë amerikane, Andre Cameron, tha se nga mesi i korrikut rreth 630 kamionë dhe trena të ngarkuar me pajisje ushtarake të llojeve të ndryshme ishin larguar tashmë nga porti – edhe pse jo të gjithë drejt Ukrainës (operacionet të tjera të NATO-s janë ende aktive në shumë vende).

Dhe sipas Cameron, Britania e Madhe dhe Italia po mendojnë gjithashtu ta përdorin këtë port për dërgesa ushtarake.

Konstantinos Chatzimichail, drejtues i portit të Aleksandropolisit, tha se ky i fundit mund të përdoret gjithashtu si një pikë transporti për eksportet e grurit dhe të lëndëve të tjera të para nga Ukraina. Por për momentin shtrati i detit nuk është mjaftueshëm i thellë për ankorimin e anijeve më të mëdha. Ndaj për momentin këto janë vetëm hipoteza dhe perspektiva.

Duke pasur parasysh këtë të fundit, qeveria greke planifikon të shesë 67 për qind të aksioneve të portit me një koncesion 40-vjeçar. Afati i fundit për aplikimet në këtë garë është 29 korriku, dhe 2 nga 4 konsorciumet që plotësuan parakushtet për të marrë pjesë në garë, mund të krijojnë probleme në të ardhmen.

Pasi njëri prej tyre drejtohet nga Ivan Savvidis, një manjat greko-rus që ka marrëdhënie shumë të mira me Kremlinin. Madje ai ka qenë deputet i Rusia e Bashkuar, partia e Vladmir Putinit. Tjetri kontrollohet nga familja e Dimitris Coupelouzos, njërit nga miliarderët më të famshëm në Greqi, me investime që variojnë nga energjia, ndërtimi dhe media.

“Perandoria Copelouzos ka lidhje të vjetra tregtare me Rusinë. Për më shumë se 30 vjet ajo ka qenë një partnere 50/50 e Prometheus, një sipërmarrje e përbashkët me Gazprom, gjiganti rus i gazit i kontrolluar nga shteti. Gjithsesi, modernizimi i portit është pjesë e një strategjie amerikane që synon t’i heqë njëfarë përgjegjësie, rrjedhimisht edhe peshë politike, Turqisë, një vend anëtar i NATO-s, por shpeshherë edhe një burim problemesh në rajon”- shkruan britanikja “The Economist”.

Ardhja në qeveri e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, që favorizon forcimin e dimensionit atlantist të Athinës, mund të ketë luajtur një rol të rëndësishëm në qasjen aktuale të SHBA-së. Por në çdo rast, kjo ide strategjike i ka rrënjët që nga mandati i qeverisë së majtë radikale të Alexis Tsipras, gjë që sugjeron se mund të vazhdojë pavarësisht se kush do ta drejtojë qeverinë greke në të ardhmen.

Në fund të qershorit, Michael Martens shkruante në “Internationale Politik Quarterly” se lufta në Ukrainë e ka rritur shumë rëndësinë e portit të Aleksandropolisit edhe për sa i përket politikës energjetike. Sipas tij “kompanitë amerikane kanë shprehur interes të privatizojnë pjesërisht atë, dhe ky interes shpjegohet edhe nga impianti i rigazifikimit të LNG-së që po ndërtohet pranë Aleksandropolisit, dhe që do t’i japë mundësi një pjese të rajonit të reduktojë njëherë e mirë varësinë e tij nga gazi rus”.

Kjo do të vlente jo pak edhe për Bullgarinë, që ka blerë tashëm 20 për qind të aksioneve në terminalin grek gjatë mandatit të ish-kryeministrit Boyko Borisov. Një lëvizje shumë largpamëse, duke pasur parasysh që Bullgaria dhe Polonia u bënë vendet e para anëtare të Bashkimit Evropian, të cilave Gazprom ua ndërpreu tërësisht furnizimet me gaz që në muajin prill. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!