Drejtor i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, foli në studion e Abc Live për marrëveshjen e njohjes së pensioneve midis Italisë dhe Shqipërisë.
Teksa shpjegon përfitimet që do të kenë emigrantët shqiptarë të Italisë, Hado tha se marrëveshja e pensioneve është e mbyllur nga pikëpamja teknike dhe se pritet që të nënshkruhet në shtator të këtij viti, për tu miratuar më pas nga kuvendi Italian.
Hado tha se secili vend do të paguajë qytetarin në bazë të viteve që ka kontribuuar, duke theksuar se me marrëveshjen do të eliminohen burokracitë dhe se pagesa do të bëhet në kohë reale.
Ndër të tjera Hado tha se beteja e ardhshme do të jetë ajo për njohjen e pensioneve midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Ai tha se pala shqiptare do të zhvillojë një takim teknik me palën greke në fillim të vjeshtës për të parë ,mundësinë e fillimit të negociatave.
“Marrëveshja nga pikëpamja teknike eshtë e mbyllur, e kopsitur e pandryshuar. Nëpërmjet marrëveshje bëhet bashkimi i kontributeve në Itali dhe Shqipëri. Secili vend do paguajë në bazë të kontributeve që personi ka.
Lexo edhe: Nis punën Komisioni i përbashkët për njohjen e sistemit të pensioneve dhe sigurimeve me Italinë
Secili vend do të kthejë kontributin e bërë ndër vite. Me marrëveshjen qytetari merr pensione në dy vende aq sa ka kontribuar në dy vendet. Duhen 15 vite pune ne Shqipëri dhe 20 vite në Itali.
Nuk ka transferim lekësh mes dy shteteve, secili vend do paguajë për aq vite sa ka kontribuuar. Marrëveshja trajton barbarët qytetarët, pavarësisht shtetësisë dhe fesë.
I njëjtë legjislacion që vlen për italianë do vlejë dhe për shqiptarët. Është eksportimi i përfitimeve. Tani nuk ka nevojë as për vulë apostile.
Eliminohen prokurat, pensionet do të merren në kohë reale. Qëllimi i marrëveshjes është që të mos humbasin vitet e kontributeve. Çdo njeri që punon duhet të jetë i siguruar.
Janë 330 mijë shqiptarë që kontribuojnë në vendin Italian. Nëse s’do të ishte marrëveshja ata nuk do të merrnin asgjë. Faktori shqiptar në Itali çdo vit bëhet i rëndësishëm.
Ekzekutimi i marrëveshjes nis në fillim të janarit të viti 2023. Pala italiane po shtyn fort që kjo marrëveshje të nënshkruhet në shtator. Gjasat janë që shumë shpejt edhe parlamenti Italian ta miratojë. Marrëveshjet duan dy deri në tre vjet që të maturohen. Betejën e ardhshme e kemi me shtetin grek. Ka një lëvizje edhe me shtetin grek, kemi lënë takim teknik me palën greke, nuk është për negocim, do të jetë takim teknik për të parë ,mundësinë e fillimit të negociatave. Edhe me Greqinë mund ta realizojmë një marrëveshje”, tha Drejtor i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Shqipëria dhe Italia kanë dakordësuar marrëveshjen teknike për njohjen e pensioneve mes dy vendeve.
Përmes kësaj marrëveshje do të mbulohen pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet e barrëlindjet si dhe sigurimin për papunësinë si për shqiptarët që jetojnë në Itali, asht edhe për shtetasit italianë që jetojnë e punojnë në Shqipëri dhe derdhin kontributet e tyre këtu.
Numri i përfituesve pritet të jetë i lartë. Janë mbi 500 mijë qytetarë shqiptarë emigrant që jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj që do të përfitojnë nga njohja e sistemit të pensioneve mes dy shteteve.
Finalizimin e kësaj marrëveshje që synon trajtim të barabartë për njohjen reciproke të viteve të pensionit për qytetarët që kanë punuar në të dy vendet, ka qenë një kërkesë e hershme veçanërisht e komunitetit shqiptar që jeton në Itali dhe një përpjekje e vazhdueshme mes palëve për të arritur në këtë hap konkret.
Marrëveshja për njohjen e viteve të punës se do të nisë zbatimin duke filluar nga viti 2023./abcnews.al/