Zbulohet emri, kush është “I.M” me dosjen 140 faqe në Sigurimin e Shtetit

schedule18:32 - 27 Korrik, 2022

schedule 18:32 - 27 Korrik, 2022

Jeta politike në vend është ndezur ndjeshëm gjatë ditëve të fundit me largimin e Ilir Metës nga Presidenca, ndryshimet në qeveri, aludimet në lidhje me shkakun e tyre dhe sëfundmi me letrën e Autoritetit të Dosjeve ndaj Kuvendit ku thuhet speficikisht se ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Në shkresën që i ka çuar Kuvendit, më datë 25 korrik 2022, Autoriteti i Dosjeve ankohet gjithashtu duke thënë se nuk duhej që emri i Metës, bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, të kishte kaluar si i pastër nga dy komisione verifikimi gjatë viteve të mëparshme, prandaj edhe duhej ndryshuar ligji për të mundësuar verifikime më të hollësishme.

Lexo edhe: “Të filloj unë me e mail-et nga Nju Jorku”, Meta: Del pula e Kuvendit dhe flet, ky është “Autoriteti” i 17 majit

Një ditë më pas, pikërisht dje, Autoriteti i Dosjeve njofton përmes faqes së tij në Facebook mbi “një politikan të me profil të lartë, me inicialet I.M që ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit”. Autoriteti i referohej shkresës së një ditë më parë ku bëhej fjalë pikërisht për Ilir Metën.

Por çfarë ndodhi sot?

Gjatë ditës së sotme, në media qarkulloi lajmi se një person me inicialet I.M kishte kërkuar nga Autoriteti i Dosjeve në shtator 2021 që të verifikonte nëse ishte përndjekur apo jo nga Sigurimi i Shtetit dhe nëse kishte apo jo materiale në emrin e tij. Pas verifikimeve disa mujore, në 17 maj 2022, Autoriteti i Dosjeve vendos që t’i dorëzojë këtij personi materialet që ishin gjetur në dosjet e Sigurimit të Shtetit në emër të tij. Bëhet fjalë për 140 faqe materiale, për të cilat urdhërohet administrata e Autoritetit të Dosjeve që t’ia dorëzojë në kopje fizike dhe në CD.

Nga ndryshon Ilir Meta datave 25-26 korrik dhe I.M e datës 27 korrik?

Gjatë ditës së sotme, Autoriteti i Dosjeve publikoi në faqen e tij një numër të madh vendimesh për verifikimin e figurave të ndryshme, siç janë funksionarë të lartë të administratës që do të emërohen në detyra të caktuara apo edhe individë të thjeshtë, të cilat kanë kërkuar të dinë nëse janë spiunuar nga regjimi.

Mes vendimeve të publikuara është edhe ai me nr. 227, dt.17/05/2022 ku Autoriteti i Dosjeve konstaton se në emër të një personi me inicialet I.M janë konstatuar 140 faqe në dosjet e Sigurimit të Shtetit.

Lexo edhe: Shkresa që i “vuri zjarrin” sot Tiranës: Autoriteti i Dosjeve duhet të tregojë kush është “I.M” me 140 faqe dosje në Sigurimin e Shtetit

Siç rezulton nga verifikimet e bëra nga Abcnews.al, personi në fjalë është Imigron Muçaj dhe ka kërkuar të dijë se çfarë kishte përpunuar nëpër dosje Sigurimi i Shtetit për të.

Kështu, rezulton se personi “I.M” që del në vendimin nr.227  dt.17/05/2022 të Autoritetit të Dosjeve nuk është Ilir Meta.

Po a është Ilir Meta i pastër sipas Autoritetit të Dosjeve?

Lexo edhe: “Ilir Meta, bashkëpunëtor i sigurimit, doli i pastër nga verifikimi”, letra e Autoritetit të Dosjeve, Nikolla: Rast tronditës, Kuvendi duhet të reagojë

Vetë Ilir Meta figuron si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit sipas Autoritetit të Dosjeve në shkresën që ky institucion i ka dërguar Kuvendit në datë 25 korrik 2022.

Pra, sipas Autoritetit të Dosjeve ish-Presidenti Ilir Meta është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe personi “I.M”, i përmendur në vendimin nr.227 dt.17/05/2022 2022 të Autoritetit të Dosjeve nuk ka lidhje me ish-Presidentin, është një qytetar tjetër i quajtur Imigron Muçaj dhe është i përndjekur nga regjimi. /abcnews.al