Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Turizmit, Zak Topuzi, ka thënë në “Abc Live” e turizmi në Shqipëri ka pësuar rritje këtë vit, krahasuar me shifrat e vitit 2019.
Megjithatë, ai vuri në dukje se kjo rritje e numrit të vizitorëve në vend, nuk përkthehet në rritje të të ardhurave për bizneset, pasi është rritur edhe kostoja.
“Jemi në një vit më të mirë se sa e prisnim, më mirë se viti 2019. Diku te 15% më shumë turistë. Ka një rritje të turistëve. Do ketë rritje të të ardhurave. Do ketë më pak fitim për kompanitë apo subjektet, pasi nuk është përkthyer gjithë rritja e kostove në rritje çmimesh”, tha Topuzi.
Topuzi pranoi edhe rritjen e çmimeve, të cilën e sqaroi në të gjitha nivelet e turizmit, megjithatë tha se edhe pse shteti do ketë fitime, nuk do jetë njëlloj për bizneset”, u shpreh Topuzi.
“Ka rritje çmimesh këtë vit. Turizmi elitar, ka rritur në mënyrë të detyrueshme çmimet se janë rritur dhe pagat. Niveli i mesëm po luan aty ku ka qenë. Pjesa e shtresës nën mesatare, vazhdon me po të njëjtat çmime, pasi janë në gjendje ti suportojnë, pasi janë pak a shumë biznes familjar. Vërtet do kemi numër më të madh turistësh, por bizneset nuk do kenë më shumë të ardhura”, tha Topuzi.
Topuzi foli edhe për mungesën e fuqisë punëtore në vend, duke treguar se si njerëzit kanë ndryshuar mënyrën e mendimit pas pandemisë, ndërsa në rastin shqiptar theksoi faktin se vendit po i largohet pjesa më e përgatitur e popullsisë.
“Është problem. Por nuk është vetëm problem shqiptar. Pas pandemisë njerëzit kanë ndryshuar mënyrën e të menduarit, të jetuarit. Dikur bënin dy punë. Po ndodh një ndryshim konceptesh në botë. Shqipëria ka edhe largimin e popullsisë. Nuk ikin më punëtor, fshatarë që s’kanë, por ikin pjesa e përgatitur”, tha ai. /abcnews.al