Ekspertët në Mbretërinë e Bashkuar besojnë se kanë identifikuar shkakun e vargut të fundit të problemeve misterioze të mëlçisë që prekin fëmijët e vegjël në mbarë botën.
Hetimet sugjerojnë se dy viruse të zakonshme u rikthyen pas përfundimit të bllokimeve pandemike dhe shkaktuan rastet e rralla por shumë serioze të hepatitit.
Më shumë se 1000 fëmijë, shumica preh tyre nën 5 vjeç, mendohet se janë prekur në 35 vende të botës.
Disa, duke përfshirë 12 në Mbretërinë e Bashkuar, kanë nevojë për një transplant të mëlçisë.
Dy ekipet e studiuesve, nga Londra dhe Glasgou, thonë se foshnjat humbën një imunitet ndaj adenovirusit i cili shkakton ftohje dhe shqetësim në stomak si dhe një virusi të dytë të lidhur me adenovirusin.
Kjo mund të shpjegojë pse disa zhvilluan komplikime të pazakonta dhe shqetësuese të mëlçisë.
Noah, tre vjeç, i cili jeton në Chelmsford, Essex, kishte nevojë për një transplant urgjent të mëlçisë pasi u sëmur me hepatit.
Nëna e tij, Rebecca Cameron-McIntosh, thotë se përvoja ka qenë shkatërruese.
“Ne menduam se ishte një problem i vogël që do të zgjidhej lehtësisht, por në fakt jo.”
Fillimisht, Rebecca ishte në radhë për të dhuruar një pjesë të mëlçisë së saj, por, pas një reagimi serioz ndaj ilaçeve të përdorura, ajo përfundoi në kujdesin intensiv.
Noah u fut në listën e transplantit dhe menjëherë pas kësaj, mori një organ të ri.
Shërimi i tij ka qenë i mirë, por atij do t’i duhet të marrë ilaçe për gjithë jetën, për të ndaluar trupin e tij të refuzojë mëlçinë e re.
Raste të tilla janë të rralla. Shumica e fëmijëve që kapin këto lloj virusesh shërohen shpejt, shkruan BBC.
Është e paqartë pse disa më pas zhvillojnë inflamacion të mëlçisë – por gjenetika mund të luajë një rol.
Shkencëtarët kanë përjashtuar çdo lidhje me vaksinat e koronavirusit ose Covid.
Prof Judith Breuer, një eksperte në virologji, në University College London dhe Great Ormond Street Hospital, tha: “Gjatë periudhës së bllokimit kur fëmijët nuk po takoheshin, ata nuk po transmetonin viruse tek njëri-tjetri.”
“Kur u hoqën kufizimet, fëmijët filluan të përzihen, viruset filluan të qarkullojnë lirshëm – dhe ata papritmas u ekspozuan me këtë mungesë të imunitetit paraprak ndaj një numri të tërë infeksionesh të reja.”
Ekspertët shpresojnë se rastet tani po bëhen më të pakta, por janë ende në gatishmëri për situata emergjente./Abcnews.al/