Policia e Shtetit ka bërë me dije se është zbardhur vrasja e Saimir Jakut.
Jaku u vra në 9 shtator të vitit 2016 në Rrëshen. Ai ishte drejtor i Tensionit të Lartë për Veriun për disa kohë, por ishte shkarkuar nga posti pak kohë para se të ndodhte ngjarja.
Pak para se të ndodhte krimi, ai kishte qenë duke pirë kafen e mëngjesit në një lokal të zonës. Autorët qëlluan me breshëri ndaj Jakut dhe janë larguar me shpejtësi pas krimit nga vendngjarja me një automjet. Në nëntor të vitit 2015 ai kishte kandiduar për kryetar të Partisë Socialiste për Rrëshenin, në një garë me Nikolin Kaçorrin dhe Bardhok Pulajn.
“Në kuadër të hetimeve, bazuar në prova, porkuroria Lezhë nxorri urdhër ndalimi për shtetasin Dorian Keqi, 40 vjeç për veprën penale për vrasje në rrethana cilësuese e kryer në bashkëpunim. Ky shtetas dyshohet se e ka kryer krimin kundrejt pagesës, Porositësit dyshohet të jenë një grup kriminal i idenitifkuar”, tha në një Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë Drejtues i Parë Vehbi Bushati.
Deklarata e plotë:
Jemi sot këtu për t’ju komunikuar rezultatet e operacionit policor të koduar “GJURMA”, të zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në vitin 2016, në Mirditë, ku mbeti i vrarë një shtetas dhe u plagos një tjetër.Strukturat e Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjeve kriminale të ndodhura në qarkun Lezhë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Lezhë, si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe profesionale, bënë të mundur dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 9 shtator 2016, në Rrëshen, ku u vra me armë zjarri shtetasi Saimir Jaku dhe u plagos shtetasi Gjergj Prenga.Si rezultat i të gjitha veprimeve hetimore të kryera dhe bashkëpunimit intensiv me Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminimet laboratorike të provave të sekuestruara në vendngjarje, si dhe marrjes së çdo dëshmie të mundshme me interes për hetimin, vlerësimit të çdo informacioni, për identifikimin e autorit/ëve dhe zbardhjen e ngjarjes, strukturat hetimore të DVP Lezhë zhvilluan operacionin policor të koduar “GJURMA”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit D. K., 40 vjeç, lindur në Kurbin dhe banues në Krujë.
Në kuadër të hetimeve të kryera nga strukturat hetimore të DVP Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat e grumbulluara, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë nxorri urdhër ndalimi për këtë shtetas, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit”.
Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dyshohet se e ka kryer krimin e vrasjes së shtetasit Saimir Jaku, kundrejt pagesës. Porositësit e vrasjes dyshohet të jenë një grup i strukturuar kriminal që vepron në qarkun Lezhë, tashmë të identifikuar dhe nën hetim nga ana e Policisë. Për shkak të cilësisë së hetimit dhe të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk mund të bëjmë publike të dhëna të tjera për këtë çështje.Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit të ndaluar D. K., në kuadër të operacionit policor “GJURMA”, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 21 aparate celulare dhe 6 mbajtëse të kartave SIM.
Vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë e ligjor të kësaj ngjarjeje.
Nga ana tjetër, strukturat e DVP Lezhë, në koordinim me strukturat hetimore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, po punojnë intensivisht për zbulimin e dokumentimin ligjor të ngjarjes së rëndë të ndodhur më datë 22 korrik 2022, në Milot.
Policia e Lezhës shpreh vendosmërinë e saj në luftën pa kompromis ndaj krimit, duke përdorur të gjitha kapacitetet e saj dhe duke bashkëpunuar ngushtë edhe me institucionet e tjera ligjzbatuese, për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të krimeve të kryera, si dhe ndërhyrjen për parandalimin e ngjarjeve të tjera të mundshme kriminale.Përfitoj nga rasti të ftoj të gjithë qytetarët, që të mbështesin akoma më shumë dhe të bashkëpunojnë me Policinë, për të denoncuar çdo paligjshmëri, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm e të paanshëm. /abcnews.al