Pasi OBSH e shpalli emergjencë globale, në Shqipëri ngrihet Komiteti i Ekspertëve për linë e majmunëve

schedule14:45 - 25 Korrik, 2022

schedule 14:45 - 25 Korrik, 2022

Ditën e sotme në Ministrinë e Shëndetësisë është mbledhur Komiteti i Ekspertëve për Parandalimin dhe Kontrollin e Lisë së Majmunit, pasi kjo sëmundje u shpall emergjencë globale nga OBSH.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se komiteti do të punojë për të monitoruar dhe për të ndjekur planin e masave që po hartohet nga ISHP.

“Kemi ngritur një komitet të ekspertëve për parandalimin dhe kontrollin e lisë së majmunit, duke vendosur prioritet hartimin e një plani të përgjigjes dhe gatishmërisë për të gjitha strukturat, në funksion të parandalimit dhe kontrollit të kësaj sëmundje infektive. Ndaj ky komitet do të punojë për të monitoruar dhe për të ndjekur planin e masave që po hartohet nga ISHP. Tashmë drafti i parë i planit të masave ka përfunduar. Pavarësisht se Shqipëria është një vend që hyn në vendet e nivelit të parë, pra konsiderohet me një risk të ulët, masat tona dhe përgatitja jonë do të jetë e plotë në mënyrë që të fuqizojmë kapacitetet tona”, tha Manastirliu.

Mibnistrja shtoi se në ISHP kanë mbërritur 3250 teste për identifikimin dhe diagnostikimin e lisë së majmunëve.

“Ajo çfarë ne kemi bërë në parapritje edhe të këtij vendimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë është që kemi fuqizuar kapacitetet tona në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik. Aktualisht kanë mbërritur në Institut përgjatë kësaj periudhe 3250 teste për identifikimin dhe diagnostikimin e lisë së majmunëve. Nga ana tjetër, përveç rritjes dhe fuqizimit të kapaciteteve tona të laboratorit, kemi marrë masa për fuqizimin e të gjithë rrjetit të survejancës sentinel. Instituti i Shëndetit Publik ka marrë masat së bashku me Operatorin e Kujdesit Shëndetësor, me strukturën e Spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për trajnimin e mjekëve, një element shumë i rëndësishëm në funksion të kontrollit dhe parandalimit të kësaj sëmundje”, tha Manastirliu.

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infetive në ISHP, Silva Bino tha se ISHP ka bërë deri tani përgatitje laboratorike dhe ka kapacitet për ta identifikuar virusin.