Dries Mertens u largua përfundimisht nga Napoli pas 9-vitesh si napolitan, me palët që nuk gjetën gjuhën e përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit mes tyre.
Belgu largohet si golashënuesi më i mirë i Napolit, teksa tashmë është lojtar i lirë në treg dhe ky është një lajm i mirë për skuadrat e mëdha të cilat mund të tentojnë transferimin.
Sipas mediave italiane, Interi ka qenë i pari që ka kontaktuar sulmuesin dhe është gati ta transferojë në Milano, nëse që aty do të largohet kileni Alexis Sanchez. Mertens pëlqehet shumë nga Inzaghi dhe nëse zikaltrit do të lirohen nga paga prej rreth 7 milionë eurosh në sezon e Sanchez, janë gati t’i ofrojnë belgut 3.5 të tilla për një sezon.
Nga ana tjetër, së fundi edhe Lazio ka bërë një hap para, pasi sulmuesi belg ka spikatur nën drejtimin e Maurizio Sarrit dhe ka qenë vetë italiani që ka shprehur dëshirën për ta pasur këtë sezon në kryeqytet.
Për sulmuesin belg kanë treguar interes edhe klube spanjolle e gjermane, por mbetet të shikohet se cila do të jetë e ardhmja e tij. /f.a/abcnews.al