Feyenoord në “Air Albania” u vu përballë Romës në finalen e Conference League, ku pavarësisht që holandezët nuk ia dolën të ngrinin lart trofeun, arritja në finale ishte një sukses për ta.
Feyenoord i udhëhequr nga trajneri Arne Slot u përball si i barabartë me të gjithë kundërshtarët duke bërë paraqitje të mira në këtë kompeticion.
Drejtuesit e klubit holandez kanë mbetur shumë të kënaqur me punën e Slot, të cilit i kanë ofruar rinovimin e kontratës. 43-vjeçari ka firmosur deri në verën e vitit 2025 me skuadrën nga Roterdami.
“Suksesi i papritur i shpejtë i sezonit të kaluar forcon besimin tim se qasja jonë mund të funksionojë mirë në Roterdam. E konsideroj privilegj që do të vazhdoj të punoj me një staf cilësor dhe në një ambient të shkëlqyer.
Për më tepër, mendoj se puna jonë vlerësohet shumë si nga klubi ashtu edhe nga tifozët, jo vetëm për shkak të rezultateve, por veçanërisht në drejtim të zhvillimit të lojtarëve dhe mënyrës tërheqëse të lojës që tifozët e shijojnë.
Disa lojtarë janë larguar, dhe sfida e madhe për sezonin e ardhshëm është të rikthehemi dhe të ndërtojmë një ekip të fortë dhe të talentuar, i cili argëton publikun me një futboll tërheqës”, deklaroi Slot pas firmës mbi kontratën e re. /f.a/abcnews.al