Ish-kryeministri Sali Berisha është shpallur zyrtarisht “Non Grata” edhe nga Britania e Madhe. Ky është vendi i dytë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës që shpall të padëshirueshëm Sali Berishën.
Lajmin e ka konfirmuar vetë Sali Berisha në konferencën për shtyp. Ndërkohë Mbretëria e Bashkuar e ka shpallur “Non Grata” ish kryeministrin pasi akuzohet për lidhje me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, për të cilët thuhet se kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në MB.
Një akuzë tjetër për “Non Gratan” e Berishës është për korrupsion dhe pasurim e tij personal dhe rretheve të njerëzve pranë meje, ku si shembull është marrë edhe lidhja e tij me Damir Fazlliç.
“Disa orë pasi Edi Rama dha lajmin për vendimin që do të merrte qeveria e MB, jam njoftuar me një letër se, Home Secretary ka marrë vendimin për moslejimin e hyrjes sime në MB me arsyetimin
1. Se ju keni lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në MB dhe, se ju jeni i gatshëm t’i përdorni këto lidhje për të avancuar ambiciet tuaja politike, dhe
2. Për korrupsion dhe pasurimin tim, dhe rretheve të njerëzve pranë meje, ku si shembull përmendet ish këshilltari për zgjedhjet Damir Fazlliç, të cilin sipas vlerësimit të tyre, unë e kam mbrojtur kur, kundër tij kanë dalë prova inkriminuese.
Ndonëse, ashtu si thotë ky vendim, është konfidencial dhe, ndonëse përfaqësuesit e MB në Tiranë kane deklaruar se nuk do të publikojne emrat, unë kam marrë vendimin t’a bëj publik për qytetarët shqiptarë, para të cilëve unë kam qenë gjithnjë i vërtetë, me të mirat dhe gabimet, kam luftuar gjithnjë në mbrojtje të interesit të tyre, ashtu siç e kam vlerësuar unë.
Në lidhje me këtë vendim dua të sqaroj sa vijon:
1. Ky vendim është në vazhdën e shpifjeve për interesa të të njëjtit grup, që ka sponsorizuar edhe vendimin e Sekretarit Blinken, të bazuar në shpifje dhe lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe multimiliardierit George Soros. Unë kam qenë në dijeni të përpjekjeve të diplomatëve të Departamentit të Shtetit, që partnerët ndërkombëtarë t’i bashkangjiten vendimit të tyre, absolutisht pa asnjë bazë, me qëllim rritjen e presionit ndaj meje dhe justifikimin e vendimit të tyre bazuar në shpifje.
Por, një gënjeshtër, sado të përsëritet mund të bëhet e besueshme, por kurrë e vërtetë dhe asnjë fuqi në botë nuk do të jetë në gjendje të më detyrojë që të pranoj gënjeshtrën për të vërtetë, apo t’i nënshtrohem mashtrimit, për të cilin me prova, këto muaj, kam argumentuar se nuk synon skajimin e Sali Berishës, por kthimin e Shqipërisë në një vend pa opozitë, së cilës i rripet çdo pasuri, e nga e cila shqiptarët ikin nga sytë këmbët. Kjo synon mbajtjen në pushtet të një qeverie, me e korruptuara në Europë, e cila, duke dhunuar votën e qytetarëve, ka rivendosur në vend monizmin e plotë dhe vjedh e sakrifikon Shqipërinë e shqiptarët, e çon shtetin në falimentim për të blerë e mbajtur pushtetin.
Sikundër ritheksoj edhe një herë, se në momentin e parë që qeveria e MB, ose çdo qeveri tjeter e huaj apo kushdo do të provojë – jo të gënjejë – një provë dhe fakt korrupsioni, unë do të marr çdo vendim ndaj vetes sime.
Në lidhje me shpifjet mbi të cilat bazohet vendimi i Sekretarit të Brendshëm të MB, po i marr me rradhë.
Së pari, për akuzën se unë kam lidhje të qarta me grupet e krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët i kam përdorur për qëllime politike. Kjo është një akuzë që nuk më është bërë kurrë, as nga kundërshtarët e mij dhe nga asnjë institucion zyrtar kombëtar apo ndërkombëtar. Ju jeni dëshmitarë të faktit se, askush tjetër sa unë nuk ka denoncuar pa ndalur, pa kompromis, me emra, pa marrë parasysh asnjë rrezik personal apo familjar, kriminelët, grupet e organizuara kriminale të këtij vendi, dhe lidhjet e tyre me qeveritarë.
Askush tjetër në qeveri nuk ka bërë luftë ndaj krimit të organizuar, dhe nuk ka pasur rezultatet që kam pasur unë, të cilat kanë qenë kusht për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në NATO. Dhe askush tjetër në opozitë, me asgjë më shumë se një IPad dhe fjalën time, e mbi të gjitha pa asnjë mbrojtje, përveç mbështetjes qytetare, nuk e ka bërë këtë.
Sot nuk gjen dot një shqiptar të dalë e të thotë, me cilin kriminel ka bashkëpunuar Sali Berisha, apo cili kriminel ka përfituar prej tij gjë tjetër veç burgut dhe denoncimit publik. Të gjithë kanë parë se si Edi Rama i bëri ata deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë policie, biznesmenë, investitorë strategjikë dhe, në fund, përmes amnistisë fiskale ju ofron një lavatriçe të madhe për të larë paratë e krimit dhe drogës!
Ju e dini kush ka ardhur ne pushtet me ndihmën e bandave, dhe kush i ka përdorur ato për ta mbajtur pushtetin. Sali Berisha ka ardhur në pushtet me votën e qytetarëve dhe ka dorëzuar pushtetin po përmes saj, pasi të vetmen kontratë gjithë karrierën time e kam pasur vetëm me qytetarët.
E pra, të akuzosh pa përmendur një fakt, dikë që kurrë dhe në asnjë rast nuk ka bërë kompromis me krimin, ndërkohë që vendi nën qeverisjen e Ramës rënkon nën thundrën e bandave, vrasjeve mafioze, kapjes së shtetit dhe shkrirjes së pushtetit me krimin, nuk bën gjë tjetër veçse e ndihmon atë!
Së dyti, në lidhje me biznesmenin Damir Fazlliç. Nuk kam pasur kurrë dijeni, as sot nuk di që ai të ketë qenë ndonjëherë objekt padish për aktivitet kriminal, në MB ku ai është qytetar, apo në ndonjë vend tjetër. Ai ka qenë dhe është një investitor, që ka sjellë kapital në Shqipëri nëpërmjet bankave dhe në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe ndërkombëtar, siç kanë dëshmuar verifikimet e organeve zyrtare të fushës. Prokuroria e Ina Ramës, për mendimin tim për motive politike, çka unë e denocova, ngriti dhe zhvilloi hetime ndaj tij në përfundim të të cilave nuk provoi dot asnjë shkelje të z. Fazlliç. Dhe ju rikujtoj se, ajo për të cilën e hetonin. ishin jo tendera, prokurime të drejtpërdrejta apo para publike, por blerje e një toke private, me fonde gjithashtu private.
Damir Fazlliç nuk ka përfituar kurrë, qoftë dhe një qindarkë të vetme nga unë apo qeveria ime. Ai ka vazhduar biznesin dhe investimet gjatë qeverisë Rama, dhe nëse do kish patur pengim të hetimit ndaj tij gjatë qeverisë sime, ka pasur 10 vjet kohë që të hetonte Prokuroria gjatë qeverisë Rama, por asgjë e tillë nuk ka ndodhur.
Pra, autoritetet e MB të vetmin rast konkret që citojnë është i 14 viteve më parë, i cili u vendos në hetim pa asnjë fakt, për transferta të rregullta bankare, për të cilat pas hetimit, Prokuroroa nuk ngriti dot padi, sepse Fazliç kishte kryer çdo gjë sipas ligjeve të vendit dhe atyre ndërkombëtare, dhe kishte si faj të vetëm se ai, me Kompanine BGR, kishte këshilluar mua ne fushatën elektorale të vitit 2005, nga e cila ish-komunistët humbën. E trishtueshme është që sot, pas 14 viteve, kjo çështje përdoret si treguesi i vetëm në të cilin mbështesin vendimin e tyre autoritetet britanike.
Më lejoni t’u them se, vite pasi hetimi i Prokurorisë së Ina Ramës ndaj Damir Fazllic, me të cilin nuk provoi dot asnjë shkelje, unë kam vizituar Britaninë e Madhe dhe kam takuar kryeministri e këtij vendi. Madje kam marrë edhe përgëzime për reformat e ndërmarra dhe luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. Përveç kësaj, në vitet 2005-2013, me agjensitë e zbatimit të ligjit të këtij vendi, si Soca etj., kemi patur bashkëpunim të shkëlqyer në luftën kundër krimit të organizuar, përfshi këtu edhe operacione të fshehta, të cilat janë vlerësuar shumë prej tyre“, tha Berisha.
/abcnews.al/