Temperaturat e larta përkeqësojnë problemet kardiake. Të moshuarit dhe pacientët kronikë janë ata të cilët duhet të tregojnë më tepër kujdes këtë periudhë. Mjekja kardiologe e spitalit Hygeia, Jorida Djamandi shpjegon ndikimin që ka i nxehti tek zemra, duke dhënë edhe disa këshilla.
“Me kalimin e moshës, sidomos ata që janë moshë e tretë por edhe pacientët kronikë me sëmundje të zemrës, mekanizmat adoptive prishen. Për këtë arsye këta persona e kanë shumë më të vështirë për ta përballuar vapën se sa personat e tjerë. Kjo për shkak të rezistencës që kanë në enët e gjakut. Nga I nxehti trupi ka mekanizmat adoptive siç është djersa, neve çojmë më shumë gjak në periferi në mënyrë që të djerësijmë dhe të normalizojmë temperaturën. Këto mekanizma te të moshuarit, por edhe tek pacientët kardiak, nuk ekzistojnë ashtu siç duhet. Prandaj është shumë e rëndësishme që këta pacientë të evitojnë temperaturat e larta. Të evitojnë qendrimin në diell nga ora 11 deri në orën 5. Nëse kanë aktivitete për të bërë, ti bëjnë jashtë jo brenda. Gjithashtu është e rëndësishme që të ushqehen mirë dhe shëndetshëm.”
Por edhe personat që merren me aktivitet fizik duhet të jenë shumë të kujdesshëm në këtë periudhë.
“Problem është edhe tek të rinjtë, që dalin bëjnë vrap. Edhe atletët e kanë këtë problem kur dalin në temperatura të larta, pasi vetë vrapi krijon një djegie të muskujve që kërkon energji. Kjo energji duke u përballuar edhe me temperaturat e larta është pak problem pasi ka një disbalancim të temperaturës së brendshme të trupit, dhe temperaturës jashtë. Prandaj ndodhin edhe ato që njihen si goditje nga dielli.”
Mjekja këshillon edhe pushuesit në plazhe që të mos ndryshojnë menjëherë temperaturën e trupit pas qëndrimit në diell. Larja në det duhet të bëhet në mënyrë graduale. /abcnews.al/