“Sot fillon një fazë e re”, Varhelyi mesazh qytetarëve shqiptarë: Ju duam në familjen europiane

schedule13:10 - 19 Korrik, 2022

schedule 13:10 - 19 Korrik, 2022

Komisioneri i BE për zgjerimin, Oliver Varhelyi, tha se rruga e Shqipërisë drejt BE sapo ka nisur.

Ai shtoi se anëtarësimi në BE do të sjellë shumë përfitime për qytetarët shqiptarë dhe dha mesazhin se ata po priten në familjen europiane.

“Sot shënohet fillimi i një faze të re dhe shumë të rëndësishme mes marrëdhënies tonë. Jemi të kënaqur që i kemi hapur negociatat me Shqipërinë. Falenderoj presidencën çeke dhe atë franceze për përpjekjet e tyre. Përgëzoj gjithë shtet anëtarë të BE.

Ky vendim historik i të sotmes dërgon një sinjal të fortë drejt Ballkanit Perëndimor. Konfirmon rëndësinë e politikës së zgjerimit të BE që është më i rëndësishëm se kurrë. Sot shënohet fillimi i një rrugëtimi të ri.

Mesazhi im drejt qytetarëve të Shqipërisë është shumë i thjeshtë: ne duam që ju të jeni pjesë e familjes europiane.

Ne kemi aplikuar metodën e rishikuar të zgjermit. Nga sot e tutje do injektojmë në negociatat me Shqipërinë më shumë dinamizëm dhe shtysë politike shumë të qartë.

Në këtë drejtim qeveria mund t’i besojë komisionit dhe ne do bëjmë të mundur që Shqipëria të jetë e përgatitur për t]’u bashkuar me BE.

Do bëjmë ç’të jetë e mundur për të përshpejtuar hapjen e negociatave.

Jam besimplot se Shqipëria është e vendosur t’i bashkohet BE dhe të punojë fort për të këtë siç ka bërë sot dhe pas vendimit të viti 2020 për të krijuar mundësinë e hapjes së negociatave. Na duhet konsensus mbarëkombëtar për ta bërë këtë të ndodhë.

Negociatat kanë një natyrë shndërruese, transformuese dhe do ndikojnë përditshmërinë e qytetarit shqiptar. Do ketë ndikim madhor te shoqëria, ekonomia dhe do të sjellë të mira të mëdha për qytetarët shqiptarë.

Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE sapo ka nisur”, tha komisioneri. /abcnews.al