Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij turk Rexhep Tajip Erdogan do të diskutojnë eksportin e grurit ukrainas në takimin e tyre në Teheran të martën, u tha gazetarëve një ndihmës i Kremlinit.
Lexo edhe: Një rrugëdalje për grurin, marrëveshja Ukrainë-Rusi është shumë afër
“Çështja e dërgesës së grurit ukrainas do të diskutohet me Erdoganin. Ne jemi gati të vazhdojmë punën në këtë rrugë”, tha Yuriy Ushakov, një këshilltar për politikën e jashtme të Putinit.
Deklaratat e Ushakov erdhën mes pritjes se Rusia, Ukraina, Turqia dhe Kombet e Bashkuara do të nënshkruajnë një marrëveshje më vonë këtë javë që synon rifillimin e transportit të drithit nga Ukraina përmes Detit të Zi.
Portet e Detit të Zi të Ukrainës, deri më tani kanali kryesor për eksportet e saj bujqësore, janë bllokuar që kur Rusia filloi atë që e quan “operacionin e saj special ushtarak” në fund të shkurtit.
Lufta në Ukrainë ka shkaktuar një krizë botërore të ushqimeve. Vendi i goditur nga lufta është ndër eksportuesit më të mëdhenj të grurit në botë. Pas pushtimit rus reth 20 milionë tonë grurë kanë mbetur të bllokuara në Ukrainë.
Moska e ka mohuar vazhdimisht që të jetë përgjegjëse për krizën e shkaktuar e po ashtu ka mohuar akuzat nga Kievi se është duke vjedhur grurë ukrainas. Sipas raporteve të Ukrainës, Rusia ka vjedhur rreth 600 mijë tonë grurë. /abcnews.al