Trashëgimtarja 25 vjeçare e kompanisë së njohur të biskotave “Bahlsen” u shpreh se punëtorët e detyruar nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, në kompaninë e saj, janë trajtuar mirë dhe janë paguar po aq sa gjermanët. Deklaratat kanë ngjallur reagime të ashpra në vend.
Kanë shkaktuar debat të ashpër në Gjermani deklaratat e Verena Bahlsen, trashëgimtarja e perandorisë së biskotave “Bahlsen”, në vend. 25 vjeçarja u shpreh gjatë një interviste për “Bild” se fabrika e saj i ka trajtuar mirë punëtorët e detyruar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Firma “Bahlsen” në periudhën 1943 – 1945 kishte rreth 200 punëtorë të detyruar. Për këtë arsye dhe u hodh në gjyq, edhe pse gjyqi u mbyll pa asnjë dënim. Kanë qenë të shumtë ata të cilët me anë të
Twitter i kanë kujtuar Verenës se kompania e saj, ku ajo ka në pronësi 25 për qind të aksioneve, ka përfituar ndaj të dënuarve me punë të detyruar nga nazistët. Por ajo i është përgjigjur se kjo ka ndodhur para kohës së saj dhe puna e detyruar është paguar njësoj me atë të gjermanëve. Ajo këmbëngul se punëtorët e detyruar janë trajtuar mirë. Polemikave të shpërthyera i janë bashkuar dhe figura politike të cilët shprehen se një trashëgimtare me pasuri të tillë, trashëgon dhe përgjegjësi dhe për këtë arsye nuk duhet të jetë arrogante. Në rrjetet sociale disa kritikë madje kanë bërë apel që të bojkotohen produktet e kësaj kompanie./ABC News Albania 24/7