Nga Shlomo Ben-Ami “Project Syndicate”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Lufta e Ukrainës po zhvillohet si në fushën e betejës, ashtu edhe në kontekstin më të gjerë gjeopolitik. Dhe Rusia duket se ka shansin të fitojë në të dyja frontet. Në fushën e betejës, makineria ushtarake ruse u tregua fillimisht joefektive dhe e vjetëruar. Por kështu ka ndodhur me Rusinë që nga pushtimi i Napoleonit në vitin 1812.
Nëpërmjet një kombinimi të barbarizmit dhe numrave absolutë më të mëdhenj se armiku – “Sasia ka një cilësi të vetën”, thoshte dikur Stalini – Rusia ka arritur në përgjithësi që ta ndryshojë fatin e luftës në favorin e saj. Dhe në Ukrainë ajo po zhvillon sot një luftë brutale, e cila po prodhon përparime të ngadalta por të qëndrueshme të trupave ruse.
Një ndryshim i ngjashëm në favor të Rusisë, mund të jetë duke ndodhur në nivelin gjeopolitik. Vendosmëria e Perëndimit për të mbështetur reagimin e tij të fuqishëm, të bazuar tek vlerat e tij themeltare, po zbehet. Megjithëse anëtarët e NATO-s projektuan unitet në samitin e tyre të fundit në Madrid, Evropa duket se po ndahet gjithnjë e më shumë në lidhje me Ukrainën.
Vendet e Evropës Lindore, së bashku me Finlandën dhe Suedinë, e shohin Rusinë si një kërcënim të menjëhershëm, madje edhe ekzistencial. Por për vende si Italia, Spanja, madje edhe Franca, shqetësimet më të menjëhershme të sigurisë kanë të bëjnë me Afrikën e Veriut dhe Sahel, si dhe me skenarin e një krize të re të emigrantëve ilegalë.
Dhe në mesin e një inflacioni të lartë dhe ngadalësimit të rritjes ekonomike, nuk është aspak e sigurt qëndrueshmëria politike e sanksioneve ekonomike. Një ndryshim politik po ndodh tashmë në Itali.
Dy partitë më të mëdha në parlament – Lëvizja Pesë Yjet dhe Lega – po kundërshtojnë dërgimin e armëve në Ukrainë, dhe kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të sakrifikuar një pjesë të territorit ukrainas, në këmbim të marrëdhënieve normale ekonomike me Rusinë.
Në Spanjë, qeveria e udhëhequr nga socialistët ka mbështetur Ukrainën, duke përfshirë edhe dërgimin e pajisjeve ushtarake. Por brenda koalicionit të majtë po krijohen të çara, me pacifistët e Podemos që e kundërshtojnë qasjen aktuale të qeverisë.
Sa i përket Francës, e majta në rritje e Jean-Luc Mélenchon, dhe e djathta ekstreme gjithnjë e më e fortë e Marine Le Pen – e cila së bashku e privoi presidentin Emmanuel Macron nga shumica e tij parlamentare në zgjedhjet e muajit të kaluar – kërkon një zgjidhje diplomatike të konfliktit, që nuk do ta “poshtëronte” Rusinë.
Lufta e Ukrainës, përbën dilemën më të frikshme për Gjermaninë. Që kur kancelari i Gjermanisë Perëndimore, Willy Brandt, nisi Ostpolitikën e tij përkundrejt bllokun sovjetik në fund të viteve 1960, kërkimi i një “bashkëjetese paqësore” me Rusinë dhe Evropën Lindore, ka qenë një temë qendrore e mendimit strategjik gjerman.
Kjo ndihmon në shpjegimin pse marrëdhënia energjetike e Gjermanisë me Rusinë, është shoqëruar me kaq shumë sfida dhe kriza. Përtej ndërprerjes së lidhjeve me Rusinë, Bashkimi Evropian ka vendosur të mirëpresë një integrim më të madh me Ukrainën dhe Moldavinë.
Ky vendim nuk do të sjellë vetëm kosto të mëdha financiare. Me shumë gjasa, presidenti rus Vladimir Putin do të ndihet po aq i kërcënuar nga të pasurit e një BE-je demokratike në pragun e tij, ashtu si nga zgjerimi i NATO-s. Putini e di me siguri se nëse ndryshimi strategjik i Evropës do të jetë i besueshëm, ajo do të duhet ta rrisë fuqinë e saj ushtarake.
Por për sa kohë evropianët do të jenë të gatshëm t’i mbajnë shpenzime ushtarake në nivele të larta? Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, evropianët kanë shijuar një kulturë të konsumit dhe kënaqësisë, një kulturë që i ka lënë ata të papërgatitur për ndërprerjet që do të vinin në rastin e zhvendosjes drejt një ekonomie të luftës.
Britania e Madhe është një rast më vete, jo vetëm për shkak të vokacionit të saj ushtarak dhe aspiratave si një fuqi globale. Edhe pse për momentin është në një krizë politike të brendshme, për shkak se Boris Johnson – që duket se e konsideronte luftën si një shpërqendrim të dobishëm për të shmangur vëmendjen nga problemet e vetë-shkaktuara –dha dorëheqjen si kryeministër.
Por kjo nuk do të thotë se Mbretëria e Bashkuar, është e vendosur t’i kthejë shpinën Ukrainës. Ndonëse Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace ka deklaruar se nuk ka ndërmend të përfshihet në garë për kreun e Partisë Konservatore, statusi i tij si një pretendent i hershëm, sugjeron se ai ka mbështetje të fortë publike për mbështetjen e madhe ndaj Ukrainës.
Përtej Evropës, fushata e Perëndimit kundër Rusisë, nuk ka gjetur gjithmonë mbështetje
të fortë, madje edhe nga aleatët dhe partnerët e saj. Megjithëse India e ka thelluar bashkëpunimin e saj strategjik me Shtetet e Bashkuara – së bashku me Australinë dhe Japoninë – përmes grupimit QUAD, ajo ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë, vendit që është furnizuesi i saj kryesor me pajisje ushtarake.
Për më tepër, edhe lutjet e presidentit amerikan Joe Biden ndaj Arabisë Saudite që të rrisë prodhimin e saj të naftës, në mënyrë që të frenojë rritjen e çmimit të naftës së papërpunuar, kanë rënë deri më tani në vesh të shurdhër. Ndërsa politika energjetike do të kryesojë me sa duket axhendën e udhëtimit të Biden në Lindjen e Mesme këtë javë, nuk është aspak e garantuar që Biden do të sigurojë ndryshimin që kërkon.
Përbuzja e tij e hershme për sundimtarin de facto të Mbretërisë Saudite, Princin e Kurorës Mohammed bin Salman, e ka dobësuar ndikimin e tij në këtë vend. Edhe Maroku, që në vitin 2020 mori nga SHBA-ja njohjen e sovranitetit të saj mbi Saharanë Perëndimore, abstenoi në votimin në OKB më 2 mars, ku u dënua pushtimi rus i Ukrainës.
Mungesa e mbështetjes për sanksionet perëndimore, nuk bazohet ekskluzivisht në konsiderata gjeopolitike. Ndërsa fushata e Perëndimit po e dëmton Rusinë, ajo po kontribuon gjithashtu në një rritje të çmimeve globale të energjisë dhe ushqimeve, gjë që po dëmton më shumë ekonomitë në zhvillim.
Ndërkaq, po afrohet perspektiva e një recesioni global me pasoja shkatërruese. Dhe në terma afatgjatë, përdorimi si një armë i rendit ndërkombëtar që kontrollon nga Perëndimi, ka të ngjarë të përshpejtojë një proces shkëputjeje që kërcënon të shkatërrojë bashkëpunimin perëndimor me fuqi si Rusia dhe Kina, dhe ta forcojë pozitën e këtyre të fundit.
Perëndimi nuk është i gatshëm t’i shkaktojë Rusisë llojin e disfatës së madhe që dëshiron. Ajo që ka arritur deri më tani politika e saj për Ukrainën, është një ngërç në fushën e betejës, i cili me kalimin e kohës do të anojë në favor të Rusisë, gjë që do të kishte pasoja katastrofike për Ukrainën dhe më gjerë, me një krizë globale ushqimore dhe energjitike në përshkallëzim të vazhdueshëm.
Ndërsa Perëndimi duhet të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën, ka ardhur koha të nisin seriozisht bisedimet e paqes. Natyrisht, kjo përfshin negociatat midis Ukrainës dhe Rusisë, për të vendosur fatin e territoreve të pushtuara nga Rusia. (Një plebishit mbi të ardhmen e rajonit lindor të Donbasit, është një zgjidhje e mundshme).
Po ashtu, ajo përfshin negociata të udhëhequra nga NATO në lidhje me sistemin më të gjerë të sigurisë në Evropë. Një rezultat i tillë nuk është ideal, sidomos sepse rrezikon të prodhojë vetëm një ndërprerje të luftimeve, në vend të një paqeje të qëndrueshme. Por pasojat e qëndrimit në rrugën aktuale, mund të rezultojnë të jenë shumë më të këqija.