VIDEO/ Irani zbulon divizionin e parë me dronë

schedule21:19 - 15 Korrik, 2022

schedule 21:19 - 15 Korrik, 2022

Irani zbuloi sot divizionin e tij të parë detar të përbërë nga varka dhe nëndetëse që mund të mbajnë drone, ndërsa presidenti amerikan Joe Biden po zhvillon turneun e tij të parë në Lindjen e Mesme.

Irani është akuzuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli për përdorimin e dronëve dhe raketave për të sulmuar forcat amerikane dhe anijet e lidhura me Izraelin në Gjirin Persik, në një përpjekje për të destabilizuar rajonin.

“Është zbuluar divizioni i parë detar me dron i Marinës iraniane, i përbërë nga varka dhe nëndetëse të afta për të mbajtur të gjitha llojet e dronëve luftarakë, zbulues dhe shkatërrimtar”, njoftoi televizioni shtetëror.

Njoftimi vjen pasi Presidenti Biden bëri vizitën e tij të parë si president në Izrael, një vend me të cilin Uashingtoni nënshkroi dje një partneritet strategjik kundër Teheranit.

Biden mori pjesë gjithashtu në një prezantim nga Izraeli për aftësitë e mbrojtjes raketore anti-ajrore të vendit, duke përfshirë një pajisje të re reagimi lazer anti-drone, “Rrezja e Hekurt”.

“Duke marrë parasysh qëndrimin agresiv të sistemit dominues (të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj), është e nevojshme të rrisim aftësitë tona mbrojtëse dita ditës,” tha në televizion shefi i ushtrisë iraniane Abdolrahim Mousavi në nisjen e divizionit të ri të marinës.

“Nëse armiqtë bëjnë një gabim, (këta dronë) do të përballen me ta,” paralajmëroi Mousavi.

Në tetor 2021, Uashingtoni vendosi sanksione që synojnë programin e dronëve të Iranit, i cili akuzohet se furnizon me armë aleatët e tij në Lindjen e Mesme, duke përfshirë Hezbollahun e Libanit, Huthit në Jemen dhe lëvizjen palestineze Hamas në Gaza.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha të hënën se Irani do t’i dorëzojë Rusisë “qindra dronë” pasi përballet me rezistencën e ushtrisë ukrainase në pjesën lindore të vendit.

Por Teherani tha të martën se “asnjë përparim i rëndësishëm” nuk është bërë për bashkëpunimin teknologjik midis Rusisë dhe Iranit.

Irani filloi zhvillimin e programeve të dronëve në vitet 1980 gjatë Luftës Iran-Irak (1980-1988)./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!