Kur i kanë mbetur edhe pak ditë në atë institucion, Presidenti Meta ka dalë në një konferencë për mediat fill pasi maxhoranca riktheu pa ndryshime në Kuvend ligjin për “Butrintin” duke hedhur kështu poshtë dekretin e Presidentit Meta që kundërshtonte këtë ligj.
“Një zhvillim të freskët ku komisioni ka rrëzuar dekretin për çështjen e Butrintit. Ka të bëjë me identitetin tonë kombëtar. Na risjellë edhe njëherë një sjellje arrogante në raport me konsultimin dhe dëgjesën ndaj ekspertëve të fushës apo shoqërisë civile.” tha Meta.
Mes të tjerash sipas presidentit, deputetët janë të diktuar politikisht për të ecur drejt skenarit të rrezikimit të një prej pasurive më të çmuara siç është Butrinti.
Kreu i Shtetit ka shtuar se këto janë arsye të errëta korruptive duke shtuar edhe shkombësimin, pasi sipas tij është një vazhdimësi të goditjes së trashëgimisë kulturore.
“Do të uroja që deputetët në seancë të lexojnë të gjitha argumentet që kanë të bëjnë me shkeljen e Kushtetutës” tha Meta.
Gjatë paradites së sotme, stafi i Metës dhe ai i ministrisë së Kulturës dhe Turizmit u përballen para deputetëve të Komisionit të Ekonomisë në Kuvend, ku deputetët e maxhorancës nuk i morën në konsideratë argumentet e juristëve të Presidencës.
Krahas kësaj, Meta ka folur edhe për inceneratorët dhe skandalin e madh me faturat fiktive të kompanive të lidhura me to. Më herët, Meta bëri thirrje për mbrojtjen e Butrintit.
Reagimi i Metës
MBRONI PARKUN E BUTRINTIT DHE VLERAT E TRASHËGIMISË HISTORIKE DHE KULTURORE KOMBËTARE!
I ftoj deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të lexojnë me shumë vëmendje të gjitha arsyet ligjore të prezantuara edhe sot në Komisionin e Ekonomisë nga Këshilltari im Ligjor, z.Bledar Dervishaj lidhur me Dekretin për kthimin për rishqyrtim në Kuvend, të Marrëveshjes për Administrimin e Parkut të Butrintit, që:
– cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës;
– cenon parimet dhe vlerat universale që mbrohen që në preambulën e Kushtetutës, duke cenuar kësisoj drejtpërdrejtë interesin publik shqiptar;
– cenon Konventën e Parisit dhe nuk është në harmoni me parimet e mbrojtura nga UNESCO;
– bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;
– praktika e ndjekur nga ekzekutivi dhe Kuvendi i Shqipërisë, rezulton se nuk ka realizuar dhe nuk ka siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase që ka njohuri të thelluara mbi Parkun Kombëtar të Butrintit, nënzonave dhe siteve arkeologjike të tij;
– procedura e ndjekur nuk ka garantuar një proces të gjerë e të thelluar të konsultimit me publikun, duke sjellë kështu një produkt jo cilësor dhe një debat publik mbi këtë çështje;
– shmang auditimin përmes institucioneve të pavarura kushtetuese të veprimtarisë ekonomike-financiare lidhur me të ardhurat që do të krijohen dhe mënyrën e përdorimit të tyre;
– për shkak të mungesës së konsultimit gjithëpërfshirës, ky ligj është produkt i një procesi që ka shkelur Rezolutën e datës 19 maj 2022, të miratuar nga Parlamentit Europian.
I kujtoj shumicës në Kuvendin e Shqipërisë se nëse do të zgjedhë të rrëzojë politikisht Dekretin e Presidentit dhe të vijojë me hyrjen në fuqi të ligjit, kjo nuk do t’i shërbente aspak interesave të larta të vendit dhe kombit shqiptar, por do të përkeqësonte çdo marrëdhënie të organeve të shtetit me shoqërinë civile, ekspertët, dhe qytetarët në tërësi.
/abcnews.al

