Marrëveshja me Kishën Serbe, Gjukanoviç ndërpret mbështetjen për Abazoviçin

schedule19:43 - 10 Korrik, 2022

schedule 19:43 - 10 Korrik, 2022

 

Kryesia e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) e Milo Gjukanoviçit vendosi njëzëri të dielën, më 10 korrik, që të ndërpresë mbështetjen për Qeverinë e Malit të Zi të udhëhequr nga Dritan Abazoviç.

Arsyeja është Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe e cila u votua nga shumica e ministrave e Qeverisë së Abazoviçi të premten, më 8 korrik. DPS-ja deklaroi se marrëveshja me Kishën Serbe kërcënon interesat shtetërore të Malit të Zi.

Nga partia e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, vlerësuan se Qeveria ndryshoi kursin politik për të cilin ishte rënë dakord me formimin e saj.

“Qeveria braktisi detyrën prioritare të përmbushjes së detyrimeve nga agjenda e integrimit evropian dhe me nguti, në mënyrë të papërgjegjshme dhe pa u konsultuar me publikun profesional, bëri marrëveshje me Kishën Ortodokse, duke i shkaktuar dëm të pallogaritshëm interesave shtetërore të Malit të Zi”, u tha në njoftimin e DPS-së.

Partia e Gjukanoviçit në Kuvendin e Malit të Zi ka 29 deputetë dhe është forca kryesore politike që ka mbështetur Qeverinë e pakicës së Abazoviçit, e cila nuk ka ministra të saj.

Qeveria e Dritan Abazoviçit u formua më 28 prill, pasi në shkurt të këtij viti u rrëzua Qeveria e mëparshme e Zdravko Krivokapiqit me iniciativën e Dritan Abazoviqit, i cili ishte zëvendëskryeministër në atë ekzekutiv.

Menjëherë pas njoftimit të DPS-së, ka folur kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili ka përshëndetur vendimin e kryesisë së DPS-së.

“Është përgjegjësi kur nuk ke mundësi ta ndihmosh shtetin, të paktën mos e vështirëso situatën. Do të shohim se cili është qëndrimi i shumicës së deputetëve”, ka shkruar Abazoviq në Tëitter.

Abazoviç inicioi dhe zbatoi procedurën me të cilën u miratua teksti i Marrëveshjes themelore me Kishën Ortodokse Serbe përkundër paralajmërimeve nga partitë partnere në pushtet, në radhë të parë DPS-së, Partisë Socialdemokrate dhe një pjesë të partive të pakicës, si dhe opozita Socialdemokrate, për dëmin e asaj marrëveshjeje për interesat e Malit të Zi.

Gjatë diskutimit në Qeveri, Abazoviç ka pranuar se pjesë Marrëveshjes Themelore nuk janë harmonizuar plotësisht me ligjet dhe Kushtetutën e Malit të Zi, por ka insistuar në miratimin e saj.

Pas Qeverisë së Malit të Zi, marrëveshja duhet të miratohet nga Sinodi i Kishës Ortodokse Serbe, dhe më pas Abazoviq dhe Patriarku Porfirije i Kishës Ortodokse Serbe duhet të bien dakord për datën dhe vendin e nënshkrimit.

Ndërsa Partia Socialdemokrate, zyrtarë të së cilës janë ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes, ka paralajmëruar fillimin e procedurës për shkurtimin e mandatit të Kuvendit të Malit të Zi. /REL/