Komiteti i Emergjencave: “Janë shpëtuar 1552 qytetarë, 596 familje të evakuuara”

schedule13:47 - 3 Dhjetor, 2017

schedule 13:47 - 3 Dhjetor, 2017

Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave pranë Kryeministrit ka dhënë të rejat më të fundit sipas përditësimeve deri në orën 12:00 në lidhje me gjendjen në vend si pasojë e motit të keq.

Sipas këtij komiteti, reshjet e shiut janë pakësuar dhe vendin e tyre a kanë zënë bora në zonat malore. Në përgjithësi moti në vendin tonë ka ardhur drejt përmirësimit. Rreziku kryesor nga lumi Vjosë në Vlorë dhe Fier është në ulje, nga zvogëlimi i prurjeve dhe tërheqja e ujërave. Strukturat shtetërore janë angazhuar pa ndërprerje, me fokus kryesor shpëtimin e jetëve dhe minimizimin e dëmeve. Janë evakuuar qytetarët dhe gjëja e gjallë nga zonat e rrezikuara, si dhe është punuar me forca dhe mjete të shtuara për kthimin sa më shpejt në normalitet.

Gjatë natës zona më e rrezikuar si dhe përpjekja kryesore është zhvilluar për të mbrojtur funksionimin e hidrovorit në Darëzezë të Fierit. Falë një punë të jashtëzakonshme u bë e mundur që të mbrohet hidrovori nga përmbytja, duke shmangur kështu pasoja të konsiderueshme.

Aktualisht deri tani janë evakuuar 596 familje dhe janë shpëtuar 1,552 qytetarë. Gjenden të përmbytura 10,217 ha tokë, kryesisht në Fier dhe Vlorë, si dhe 5,781 ha me prani uji. Banesa të përshkuara nga uji dhe të përmbytura janë 3,337 në mbarë vendin.

Rrugët janë të hapura, me përjashtim të disa rrugëve dytësore e rurale, ku po vijon puna për normalizimin e trafikut. Gjithsesi, përmbytjet kanë shkaktuar dëme permanente në infrastrukturë, si prishjen apo dëmtimin e 28 urave dhe shumë pjesë aksesh rrugore.

Shkatërrimi i urave është një ndër fenomenet e veçanta të emergjencës aktuale, që në ndryshim në ato të mëparshmet, lidhet me furinë e jashtëzakonshme të prurjeve të ujit, të shkaktuar nga intensiteti i jashtëzakonshëm i reshjeve.

Si rrjedhojë e punës së përkushtuar të OSHEE, është arritur të minimizohet numri i abonentëve pa energji. Dëme janë regjistruar edhe në shkollat e ciklit të ulët e si rrjedhojë të hënën nuk mund të rifillojë mësimi në 56 shkolla në mbarë vendin. Krahas menaxhimit të emergjencës, ka filluar edhe inventarizimi i dëmeve të shkaktuara. Për të gjithë individët apo organizata që duan të kontribuojnë me ndihma ndaj personave të dëmtuar është vënë në dispozicion numri i telefonit: +355 68 839 0899. /tvklan.al