“Ajo që na mëson të gjithëve pushtimi rus i Ukrainës është nevoja për t’u rreshtuar pas së Drejtës Ndërkombëtare, kundër revizionizmit, kundër çdo lloj tentative për të ndryshuar kufijtë me forcë, kundër luftës”. Kështu ka deklaruar n ministri i Jashtëm Nikos Dendias në “Forumin e Dubrovnikut” në Kroaci, që u mbajt sot.
Dendias theksoi nevojën për të adresuar sfidat e Ballkanit Perëndimor. “Ne të gjithë do të dëshironim që Bosnje-Hercegovina të ishte një histori suksesi, por të gjithë e dimë se ajo është potencialisht një fuçi baruti”, tha ai dhe nënvizoi nevojën që të gjithë të kontribuojnë sa më shumë për dialogun Prishtinë-Beograd.
Duke iu referuar procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, ai kujtoi se Greqia ishte vendi i parë në rajon që u bashkua me BE-në.
“Ne mendojmë se kemi përmbushur detyrimin tonë për Ballkanin Lindor: Rumania, Bullgaria. Por edhe Ballkani Perëndimor ka nevojë për ndihmën e Greqisë, Kroacisë dhe anëtarëve të tjerë për të përmbushur të ardhmen e tyre evropiane”, nënvizoi ai.
Kryediplomati grek theksoi se negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut janë vonuar për një kohë të gjatë dhe fakti që kemi kandidatura të reja, siç është Ukraina, “nuk duhet të na lejojë të harrojmë se sa e rëndësishme është që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ta nisin këtë proces”.
“Ne duhet të tregojmë se BE-ja është në gjendje të përmbushë premtimet e saj. Dhe ka edhe premtime të tjera që duhet të realizohen, siç është liberalizimi i vizave për Kosovën nga BE-ja, të cilat nuk i kemi përmbushur”, tha ai.
“BE duhet të jetë shumë më e pranishme në Ballkanin Perëndimor”, tha Dendias. /abcnews.al