Përfaqësuesit e lartë Perëndimorë: Avancimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë V. në BE, çelësi i qëndrueshmërisë në Evropë

schedule14:50 - 9 Korrik, 2022

schedule 14:50 - 9 Korrik, 2022

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell dhe Sekretari i Shtetit, Antony Blinken kanë pohuar se avancimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian është çelësi i qëndrueshmërisë në Evropë.

Në një deklaratë të përbashkët Borrell dhe Blinken theksojnë se në këtë moment  kritik historiko me luftën që po zhvillohet në Ukrainë, përshpejtimi i integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE do të jetë çelësi për forcimin e kohezionit dhe qëndrueshmërisë së të gjithë kontinentit evropian.

Në këtë moment kritik të historisë evropiane, i shënuar nga agresioni i pajustifikueshëm i kryer nga Rusia kundër Ukrainës, avancimi i rrugës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE është çelësi për forcimin e kohezionit dhe qëndrueshmërisë së të gjithë kontinentit evropian”, thuhet në deklaratën e dy përfaqësuesve të lartë Perëndimorë.

Borrell dhe Blinken cekën edhe çështjen e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, teksa thanë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë të përkushtuara për bashkëpunim më të ngushtë në Ballkanin Perëndimor.

Ata u shprehën të hapur për një propozim kompromisi që merr parasysh interesat dhe shqetësimet e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë “bazuar në respektin, besimin dhe mirëkuptimin reciprok”.

“Vendimi sovran i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut do të jetë i rëndësishëm për të ecur përpara. Kjo frymë e kompromisit konstruktiv mbi të cilin është ndërtuar integrimi evropian duhet të vazhdojë të frymëzojë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces historik”, thuhet në deklaratën e përbashkët. Sigurimi i stabilitetit dhe prosperitetit dhe realizimi i së ardhmes së tyre evropiane dhe euroatlantike mbetet qëllimi ynë i përbashkët”, thuhet në deklaratën e përfaqësuesve të lartë Perëndimorë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!